Më 7 gusht 2025 mijëra protestues marshuan rrugëve të Prishtinës me sloganet “Drejtësi për çlirimtarët” si dhe duke bërë thirrje për ndaljen e padrejtësive që sipas tyre po bëhen në Hagë. Atje ku po mbahen në paraburgim, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Pas një muaji, më 14 shtator, zëri i protestuesve u dëgjua edhe më afër Gjykatës Speciale. Kjo pasi organizimi i protestës u bë në qytetin holandez, ku edhe po mbahen ish-krerët e UÇK-së, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Prokuroria, u mundua të dëshmonte zinxhirin komandues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa Mbrojta këmbëngulë se një zinxhir i tillë nuk ekzistonte, se UÇK-ja ishte një forcë guerile, me veprim të decentralizuar, ku vendimet merreshin në terren dhe jo nga një qendër e vetme komanduese.
Për të kundërshtuar pretendimet e Prokurorisë, mbrojtja e nisi me dëshminë e James Rubin, i cili ishte krahu i djathtë i ish-Sekretares se shtetit amerikan, Medeleine Albright. Rubin, në sallën e gjyqit erdhi për të dëshmuar për përgjegjësinë e Thaçit në UÇK, pas më shumë se 26 vitesh prej kur ishin takuar për marrëveshjen e Rambujesë.
James Rubin i cili kishte refuzuar të merrej në pyetje nga Prokuroria gjatë seancave përgatitore, në Hagë tha se e shqetëson fakti që personat që iu dorëzuan vullnetarisht drejtësisë po mbahen për kaq kohë të gjatë në paraburgim.
“Fakti që të akuzuarit kanë qenë në burg- paraburgim këtu në Hagë për më shumë sesa 5 vite dhe fakti që ata janë dorëzuar vullnetarisht dhe fakti që ata janë të mbajtur për kaq shumë gjatë, më shqetëson. Mendoj që lidhet me politikën dhe me shtetin e së drejtës. Mua më shqetëson fakti që dikush të jetë i paraburgosur për pesë vite përpara se të fillojë të ndiqet penalisht një çështje penale ndërkohë që këta persona janë dorëzuar vullnetarisht dhe kanë qenë shumë bashkëpunues me gjykatën”, ka thënë ai.
Ai tha se duke e pasur njohurinë se si ka funksionuar UÇK-ja, procesi në Hagë nuk është drejtësi.
“Duke pasur një ide të mirë të funksionimit të UÇK-së unë për tre ditë e kam pa se si janë sjellë ata, se kush ishin përgjegjës, kush ishte komandanti, kush zëvendësi. Duke pasur këtë lloj njohurie, unë mendoj kjo ka qenë e gabuar, kjo nuk është drejtësi”, tha Rubin.
Përveç kësaj, Rubin ka thënë se nuk e kupton se pse është dashur që dikush të qëndrojë për 5 vite në burg.
Kështu që në rastin e të akuzuarit në fjalë, nuk e kuptoj fare se pse është dashur të qëndrojë në burg 5 vite. Unë për vetën time nuk e shikoj këtë si drejtë të së drejtës ose sundim të ligjit që shpresoja të krijohej nga sistemi ndërkombëtar.”, ka thënë James Rubin në Hagë.
Rubin kishte thënë se kur u arrestua, Thaçi ishte në prag të nënshkrimit të marrëveshjes së paqes me Serbinë. Specialen ai e quan shembull të drejtësisë ndërkombëtare të dal nga kontrolli.
Po tani tribunali i Kosovës është shembulli i institucionit të drejtësisë ndërkombëtare që ka dalë jashtë kontrolli. Krijuan një çështje të pabazë për drejtuesin e shqiptarëve të Kosovës dhe e kanë akuzuar në momentin që po krijonte marrëveshje paqeje me Serbinë, e futën në burg.
Përpara se të arrestohej, presidenti i atëhershëm i Kosovës po ashtu kishte thënë se asnjë vullnet i mirë për drejtësinë nuk e justifikon fabrikimin e një bombe mediatike për të inkriminuar atë në kohën kur dialogu me Serbinë kishte hyrë në një fazë të re.
“Lajmërimi publik i një aktakuze ende të pa miratuar nga trupi gjyqësor është një skandal i madh. Asnjë krim i supozuar apo edhe i kryer nga kushdo nuk e justifikon linçimin publik. Asnjë qellim i mirë dhe as një vullnet i madh për drejtësi nuk e arsyeton fabrikimin e një bombe mediatike për të inkriminuar të parin e shtetit të Kosovës pikërisht në momentin kur dialogu me Serbinë kishte hyrë në një fazë të re”, kishte thënë Thaçi.
Pas konfirmimit të aktakuzës për të, Hashim Thaçi, kishte dhënë dorëheqje.
“Nuk do të lejoj në asnjë rrethanë që para gjyqit të dal presidenti i Kosovës, prandaj, për të mbrojtur integritetin e Presidencë së Kosovës, integritetin e shtetit të Kosovës, integritetin dhe dinjitetin e qytetarit të Kosovës, popullit të Kosovës, duke respektuar edhe partneritetin me bashkësinë ndërkombëtare, unë sot jap dorëheqje nga pozita e Presidentit të Republikës së Kosovës…Kjo nuk është lamtumirë, por vetëm mirupafshim…”, kishte thënë Thaçi.