Kosova është zgjuar sot nën borën e parë të vitit 2025. Rënia e temperaturave dhe moti i ftohtë shënojnë fillimin e stinës së dimrit, duke sjellë edhe rreziqe të zakonshme për shëndetin, si ftohjet, gripi dhe kolla.
Mjekët dhe ekspertët e shëndetit apelojnë për kujdes të shtuar në këtë periudhë, duke theksuar rëndësinë e veshjes së ngrohtë dhe ushqimit të shëndetshëm. Sipas tyre, mënyra më e mirë për t’u mbrojtur nga i ftohti është veshja me shtresa, përdorimi i shallit, dorezave dhe kapelës, si dhe mbulimi i hundës dhe gojës për të shmangur irritimin e rrugëve të frymëmarrjes.
Pijet e ngrohta janë një aleat i fuqishëm kundër të ftohtit. Çajrat me xhenxhefil dhe mjaltë, kamomil ose limon ndihmojnë në forcimin e imunitetit dhe lehtësimin e simptomave të ftohjes. Po ashtu, ushqimet e pasura me vitaminë C si portokalli, kivi dhe limoni, hudhra dhe qepa me efekt antibakterial, si dhe supat e ngrohta me perime janë të rekomanduara për të përballuar temperaturat e ulëta.
Ekspertët theksojnë se edhe gjatë dimrit është e rëndësishme të konsumohet mjaftueshëm ujë, të shmangen ndryshimet e menjëhershme të temperaturës dhe të sigurohet gjumë i mjaftueshëm për forcimin e imunitetit.
Në rast se shfaqen simptoma si kolla dhe bllokimi i hundës, mjalti dhe çajrat e ngrohtë mund të lehtësojnë gjendjen, por nëse simptomat përkeqësohen, këshillohet konsultim me mjekun.
Bora e parë e këtij viti solli gëzim te qytetarët, por edhe kujdes shtesë për shëndetin, pasi dimri sapo ka nisur.