Kuvendi i Kosovës ka njoftuar se sot në ora 11:00 do të mbahet një seancë për formimin e komisioneve parlamentare, ku do të diskutohet për buxhetin, marrëveshjet ndërkombëtare dhe për financimin e RTK-së, ndërkaq në ora 14:00, do të mbahet seanca tjera për zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Tri ish-partitë opozitare PDK, LDK dhe AAK do të bojkotojnë seancën e parë të thirrur për të mërkurën në ora 11:00, ku sipas propozimit të LVV-së në rend dite janë themelimi I komisioneve të përhershme ku do të diskutohet për buxhetin, marrëveshjet ndërkombëtare dhe për financimin e RTK-së.
Menjëherë pas njoftimit për seancë, ishte LDK e cila njoftoi se nuk do të marrë pjesë në seancën e mëngjesit vetëm në atë të orës 14:00 ku pritet të votohet formimi i Qeverisë.
LDK ka theksuar se agjenda e seancës së orës 11:00 përfshin çështje serioze si marrëveshje ndërkombëtare, kredi, borxhe dhe projektligje buxhetore, dhe se ata nuk do të marrin pjesë “në improvizime që shpërfillin rregulloren dhe e reduktojnë agjendën shtetërore në dekor fushate”.
E këtë seancë do ta bojkotojë edhe Partia Demokratike e Kosovës. Zëdhënësi i këtij subjekti, Faton Abdullahu ka thënë për Telegrafin se nuk do të marrin pjesë.
“Ne nuk marrim pjesë në seancën e orës 11:00 vetëm në atë të orës 14:00”, tha Abdullahu.
Të njëjtin veprim do ta bëjë edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemaili i tha Telegrafit se në seancën e orës 14:00 vota e tyre do të jetë kundër Qeverisë.
“Në seancën e parë nuk marrim pjesë, në seancën e dytë vota jonë është kundër”, tha Xhemaili.
E përveç seancës të jashtëzakonshme në ora 11:00, sot në ora 14:00 është seanca tjetër e jashtëzakonshme për votimin e Qeverisë.
I mandatuari për formimin e qeverisë është Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje, i cili u mandatua nga presidentja Vjosa Osmani më 4 nëntor.
Konjufca ka deklaruar se kërkon mbështetjen e deputetëve për Qeverinë e tij, në mënyrë që të shmangen zgjedhjet parlamentare në dhjetor dhe që vendi të ketë ekzekutiv “së paku” deri në prill, kur duhet të zgjidhet presidenti i ri i vendit.
Ndryshe, më 26 tetor, Albin Kurti dështoi të siguronte votat e nevojshme për formimin e qeverisë.
LVV-ja i ka fituar zgjedhjet e 9 shkurtit, por nuk ka siguruar ulëse të mjaftueshme në Kuvend që do t’i mundësonin që të formonte Qeverinë pa bashkëpunim me partitë e tjera.