Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) ka nisur zyrtarisht procesi i rinumërimit të fletëvotimeve për vendvotimet për të cilat Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka marrë vendim.
Sipas vendimit të KQZ-së, rinumërimi do të përfshijë 914 vendvotime nga gjithsej 2,557, ku është zhvilluar procesi i rregullt i votimit në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025.
Në 10 komuna do të bëhet rinumërimi i 100 për qind të vendvotimeve, konkretisht në: Dragash, Kaçanik, Leposaviq, Prizren, Skënderaj, Shtime, Ferizaj, Vushtrri, Mamushë dhe Ranillug.
Ndërkohë, në 28 komuna të tjera do të rinumërohen 10 për qind e vendvotimeve, përfshirë komunat më të mëdha si Prishtina, Peja, Gjakova, Gjilani, Mitrovica (Jug dhe Veri), Podujeva, Suhareka, Ferizaj, si dhe komuna të tjera anembanë vendit.
Nga KQZ bëhet e ditur se ky proces ka për qëllim garantimin e saktësisë, transparencës dhe besueshmërisë së procesit zgjedhor, duke adresuar çdo paqartësi të mundshme dhe duke rritur besimin e qytetarëve në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve.
Rinumërimi po zhvillohet nën masa të rrepta sigurie dhe monitorimi, ndërsa rezultatet pritet të publikohen pas përfundimit të plotë të procesit.