Xhavit Haliti

Gjashtë ankesa në Supreme për zgjedhjet e dhjetorit

Gjykata Supreme e Kosovës ka konfirmuar se ka pranuar gjithsej gjashtë ankesa pas përfundimit të procesit të rinumërimit të votave lidhur me rezultatin e zgjedhjeve të mbajtura më 28 dhjetor, duke e mbajtur ende të hapur përmbylljen formale të procesit zgjedhor.

Sipas njoftimit zyrtar, dy nga ankesat janë parashtruar nga kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ndërsa nga një ankesë kanë dorëzuar Partia Rome e Bashkuar e Kosovës, koalicioni PAI–PDAK–LPB, Emilia Rexhepi si dhe Partia e Re Demokratike (Nova Demokratski Stranka) nga Prizreni. Të gjitha këto ankesa kishin qenë më herët të refuzuara nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, ndërsa Gjykata Supreme përbën instancën e fundit të ankimimit në procesin zgjedhor.

Supremja, sipas ligjit, ka afat pesë ditë për të shqyrtuar dhe vendosur lidhur me këto ankesa. Vetëm pas përfundimit të këtij afati dhe marrjes së vendimeve përfundimtare mund të vazhdohet me hapat e tjerë të procesit zgjedhor. Në rast se Gjykata Supreme i refuzon të gjitha ankesat, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve i hapet rruga për certifikimin e rezultateve përfundimtare.

Burime nga procesi zgjedhor bëjnë të ditur se certifikimi i rezultateve mund të ndodhë brenda pak ditësh pas vendimit të Supremes, nëse nuk paraqiten pengesa të tjera ligjore. Certifikimi shënon edhe përmbylljen formale të zgjedhjeve dhe hap fazën e krijimit të institucioneve të reja.

Pas certifikimit të rezultateve, Kushtetuta parasheh që seanca konstituive e Kuvendit të Republikës së Kosovës të thirret brenda një afati prej 30 ditësh. Në këtë seancë bëhet betimi i deputetëve të zgjedhur dhe nisin procedurat për formimin e institucioneve të reja shtetërore.