Takimi Kurti-Spiropali: Hekurudha që lidh dy shtetet, prioritet i përbashkët

Zyra e Kryeministrit ka dhënë detaje për takimin mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe ministres së Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Elisa Spiropali.

Sipas njoftimit të ZKM-së, në takim u theksua rëndësia e projekteve strategjike infrastrukturore, me theks të veçantë te hekurudha Gjakovë–Shkodër, e cila u cilësua si prioritet i këtij mandati. Synim mbetet që punimet për ndërtimin e saj të nisin sa më parë.

Ky projekt u vlerësua si investim me peshë të madhe ekonomike dhe rajonale, që pritet të forcojë lidhjet mes Kosovës dhe Shqipërisë, të rrisë qarkullimin e mallrave dhe njerëzve, si dhe të kontribuojë në zhvillimin e qëndrueshëm të të dyja vendeve.

Po ashtu, gjatë takimit u theksua nevoja për vazhdimin e mbledhjeve të përbashkëta ndërqeveritare (G2G), me synimin që një e tillë të organizohet gjatë vitit 2026.

Në komunikatë bëhet e ditur se u diskutua edhe për koordinimin e politikës së jashtme dhe mbështetjen reciproke në organizata dhe forume ndërkombëtare, si dhe për forcimin e bashkëpunimit lidhur me diasporën shqiptare. Theks i veçantë iu kushtua promovimit të gjuhës dhe kulturës shqiptare te gjeneratat e reja.

Të dy palët u dakorduan se diaspora mbetet një faktor i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, diplomatik dhe kulturor të të dy shteteve, duke kërkuar angazhim të përbashkët dhe strategji të koordinuar.