Eksperti i ekonomisë dhe ish-kryetari i Oda Ekonomike e Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me zhvillimet politike dhe ekonomike në vend, duke paralajmëruar se Kosova po kalon nga një krizë politike në tjetrën, gjë që po ngadalëson rrugën drejt integrimit evropian.
Sipas tij, Republika e Kosovës dhe Bashkimi Evropian janë njëkohësisht afër dhe larg në procesin e përafrimit, ndërsa mungesa e stabilitetit politik në vitet e fundit ka ndikuar negativisht në shumë procese të rëndësishme për qytetarët dhe ekonominë.
Gërxhaliu theksoi se masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës kanë dëmtuar drejtpërdrejt zhvillimin ekonomik, proceset integruese, stabilitetin social dhe imazhin ndërkombëtar të vendit, duke prekur veçanërisht sektorin privat.
Ai vlerësoi se zgjedhjet e gjata të vitit 2025 nuk sollën zgjidhje politike dhe paralajmëroi se vendi mund të shkojë sërish në zgjedhje parlamentare gjatë vitit 2026, duke shtuar se debati politik tashmë është për kohën e mbajtjes së tyre dhe jo për shmangien e krizës.
Sipas ekspertit të ekonomisë, një proces i ri zgjedhor do të sjellë kosto shtesë financiare në një kohë kur ekonomia globale po përballet me sfida serioze dhe rreziku i krizave ndërkombëtare është në rritje. Ai ngriti shqetësime edhe për indikatorët ekonomikë në Kosovë dhe rritjen e inflacionit, duke paralajmëruar pasoja të reja për ekonominë vendore.
Në reagimin e tij, Gërxhaliu kritikoi edhe gjuhën politike në vend, duke thënë se tensionet dhe polarizimi po rriten në një moment kur zhvillimet globale kërkojnë stabilitet dhe koordinim institucional.
Ai përmendi gjithashtu anulimin e vizitës së komisioneres evropiane për zgjerim, Marta Kos, duke e cilësuar si sinjal shqetësues për raportet ndërmjet Kosovës dhe BE-së. Sipas tij, Kosova mbetet i vetmi vend në portofolin e saj që ende nuk është vizituar, pavarësisht se ajo mban këtë post që nga dhjetori i vitit 2024.
Gërxhaliu paralajmëroi se fondet e Bashkimit Evropian për periudhën 2024–2027 rrezikojnë të humben për shkak të marrëveshjeve të paratifikuara dhe mungesës së stabilitetit politik, në një kohë kur vendi ka nevojë urgjente për investime zhvillimore.
Në fund, ai theksoi se problemet aktuale nuk duhet kërkuar jashtë vendit, duke shtuar se përgjegjësia për situatën aktuale politike bie mbi vetë aktorët politikë në Kosovë, të cilët, sipas tij, po fokusohen më shumë në pushtet sesa në interesin shtetëror dhe qytetar.