Ministria e Industrisë, Tregtisë, Ndërmarrësisë dhe Inovacionit (MINTI) ka njoftuar se sot në mëngjes njësitë policore për krime ekonomike kanë qenë të pranishme në Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK), në kuadër të hetimeve që lidhen me një rast të ndryshimit të pronësisë së një biznesi pas ndërrimit të jetës së pronarit.
Sipas njoftimit zyrtar, pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe vendimeve gjyqësore relevante, stafi i ARBK-së kishte konstatuar muaj më parë se kishte ndodhur një keqinterpretim i një aktgjykimi gjyqësor.
MINTI bën të ditur se ky interpretim është korrigjuar më pas përmes procedurave përkatëse ligjore dhe administrative.
Ministria thekson se së bashku me ARBK-në mbetet plotësisht e përkushtuar për bashkëpunim me organet e rendit dhe drejtësisë, me qëllim të zbardhjes së plotë të rastit.
Po ashtu, qytetarët janë siguruar se institucionet janë duke punuar në avancimin e sistemeve brenda ARBK-së, për të rritur transparencën, saktësinë e informacionit dhe sigurinë juridike për bizneset dhe qytetarët që regjistrojnë apo ndryshojnë të dhënat e tyre në këtë institucion.