Gerxhaliu kërkon krijimin urgjent të “Task Forcës për Stabilizimin e Tregut dhe Inflacionit” në Kosovë
Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, ka bërë thirrje për krijimin urgjent të një mekanizmi të veçantë institucional për përballimin e krizës ekonomike dhe rritjes së çmimeve në vend. Në një reagim publik, ai ka theksuar se situata ekonomike nuk është më vetëm pasojë e zhvillimeve globale, por një realitet që po ndikon drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve dhe funksionimin e bizneseve në Kosovë.
Sipas Gërxhaliut, rritja e çmimeve të produkteve bazë, energjisë dhe karburanteve ka ulur ndjeshëm fuqinë blerëse dhe ka shtuar pasigurinë në treg, duke kërkuar reagim të shpejtë institucional. Ai propozon krijimin e një “Task Force për Stabilizimin e Tregut dhe Inflacionit”, e cila, sipas tij, duhet të jetë një trup profesional dhe funksional që monitoron vazhdimisht zhvillimet ekonomike dhe propozon masa konkrete për stabilizim.
Gërxhaliu ka vlerësuar se ekonomia e Kosovës mbetet shumë e varur nga importi dhe e ekspozuar ndaj goditjeve të jashtme, prandaj kërkohet koordinim më i madh ndërinstitucional dhe vendimmarrje e bazuar në të dhëna. Ai sugjeron që në këtë mekanizëm të përfshihen përfaqësues institucionalë, ekspertë ekonomikë, oda ekonomike, akademia, shoqëria civile dhe sektori privat, në mënyrë që të arrihen zgjidhje të qëndrueshme dhe konsensuale.
Sipas tij, analiza e vazhdueshme e indikatorëve ekonomikë si inflacioni, çmimet, kostot e energjisë dhe fuqia blerëse duhet të shërbejë si sistem paralajmërues për ekonominë. Gërxhaliu thekson se Kosova ka nevojë për politika që mbështesin prodhimin vendor, rrisin konkurrueshmërinë dhe mbrojnë konsumatorin, duke paralajmëruar se mosveprimi sot mund ta bëjë krizën më të rëndë dhe më të kushtueshme në të ardhmen.