Deputeti i Fatos Geci nga radhët e Lëvizja Vetëvendosje (VV), njëherësh anëtar i Komisionit për Buxhet, Punë dhe Financa në Kuvendin e Kosovës, ka bërë të ditur se paga e 13-të për përfituesit do të shpërndahet më 31 mars, duke tentuar të sqarojë paqartësitë që janë krijuar ditëve të fundit në opinion publik.
Përmes një njoftimi publik, ai tha se në qarkullim kanë qenë informacione të pasakta lidhur me datën e ekzekutimit të kësaj pagese, ndërsa theksoi se qytetarët do ta marrin pagesën në fund të muajit.
“Njoftim për qytetarët: Rroga e 13-të do të shpërndahet të martën, më 31 mars, pasi që kohëve të fundit disa institucione dhe individë kanë shpërndarë informacione të pavërteta lidhur me këtë çështje. Urime!”, ka shkruar Geci.
Çështja e pagës së 13-të ka qenë temë diskutimi gjatë javëve të fundit, pasi në rrjete sociale dhe në disa deklarata publike janë përhapur pretendime të ndryshme për vonesa apo mosrealizim të pagesës. Kjo ka krijuar pasiguri te përfituesit, sidomos te kategoritë që presin mbështetje financiare shtesë në prag të përfundimit të tremujorit të parë të vitit.
Deklarata e deputetit vjen në një kohë kur pritjet për ekzekutimin e pagesave buxhetore janë të larta, ndërsa institucionet financiare të vendit janë përballur shpesh me kritika lidhur me komunikimin publik për çështjet që lidhen me pagesat sociale dhe përfitimet shtetërore.