Ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka kërkuar nga partitë parlamentare të bashkëpunojnë për ta zgjedhur presidentin.
Ai tha se për të shmangur zgjedhjet duhet një marrëveshje politike për një figurë konsensuale për president, teksa shtoi se personalitete të tilla ka plot, por problemi është sa janë të gatshme partitë politike që ta gjejnë një zgjidhje.
“Nëse dëshirojmë të zgjedhim ose jemi të gatshëm si pozitë dhe opozitë ta bëjmë presidentin, atëherë duhet të ketë hapësirë për marrëveshje. Duhet të ulen pozita dhe opozita dhe të merren vesh bashkërisht për një personalitet i cili do ta kryente këtë punë pa anime politike… Ka të tillë plot, por problemi është a jemi të gatshëm që të ulemi dhe të bëjmë një zgjidhje”, theksoi ai.
Mustafa u shpreh më i rezervuar të komentojë mundësitë për rikthimin e Vjosa Osmanit në LDK.
“Unë do t’iu kërkoja falje sepse sot është krejt një temë tjetër dhe nuk do të dëshiroja që këtë çështje që e kemi hapur sot në akademi ta ndërlidh me emra konkretë, kush synon dhe çka bën në të ardhmen… Unë po shoh se po insistoni, por unë për vete nuk do të jap deklaratë për Vjosën”, deklaroi Mustafa.
Këto komente Mustafa i bëri pas promovimit të librit të tij “Konvergjenca ekonomike e Kosovës me BE-në”.