Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka ngritur shqetësime lidhur me mosshfrytëzimin e potencialit financiar të Fondit të Kursimeve Pensionale (TRUST), duke vlerësuar se miliardat e qytetarëve po mbesin jashtë funksionit të zhvillimit ekonomik të vendit.
Sipas të dhënave të publikuara, deri në fund të vitit 2025, fondi ka arritur vlerën prej rreth 3.2 deri në 3.4 miliardë euro. Çdo vit këtij fondi i shtohen rreth 250 deri në 300 milionë euro kontribute të reja, ndërsa kthimi mesatar i investimeve sillet ndërmjet 4 dhe 7 për qind, duke gjeneruar deri në 200 milionë euro fitim vjetor.
Megjithatë, përkundër këtij kapaciteti të konsiderueshëm financiar, AKB vlerëson se ekonomia vendore vazhdon të përballet me sfida të mëdha. Sipas kësaj organizate, bizneset në Kosovë përballen me mungesë të theksuar të kapitalit, papunësia mbetet e lartë dhe tregu vazhdon të dominohet nga importi.
AKB thekson se është e papranueshme që një fond me përmasa miliardëshe të mos ketë ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik të vendit. Sipas tyre, nuk bëhet fjalë për rrezikim të kursimeve pensionale, por për mungesë të vizionit dhe vendimmarrjes strategjike që do të mundësonte përdorimin e një pjese të këtyre mjeteve në projekte të sigurta dhe zhvillimore brenda Kosovës.
Në këtë drejtim, AKB kërkon krijimin urgjent të mekanizmave ligjorë dhe financiarë që do të mundësonin investime të sigurta në vend, duke orientuar një pjesë të fondeve në sektorë strategjikë si energjia, prodhimi dhe infrastruktura. Po ashtu, kërkohet ndërtimi i instrumenteve që mbështesin drejtpërdrejt bizneset vendore.
Në të kundërtën, organizata paralajmëron se Kosova rrezikon të përballet me një paradoks të vazhdueshëm: një fond gjithnjë e më i madh financiar, por një ekonomi e dobët dhe e varur nga importi.
Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, thekson se kjo nuk është vetëm çështje financiare, por edhe çështje e mungesës së vizionit shtetëror dhe përgjegjësisë institucionale ndaj zhvillimit ekonomik dhe mirëqenies së qytetarëve.