Abdixhiku: Kurti insistonte që posti t’i takojë VV-së

Pa rezultate ka përfunduar takimi në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ku kanë diskutuar për çështjen e presidentit. 

Kreu i LDK-së pas takimit që ka zgjatur rreth një orë, ka thënë se janë dakorduar që të mos takohen më. 

Ai ka thënë se në takim për marrëveshje iu është ofruar posti i zëvendëskryeministrit dhe 4 ministri, ose posti i kryekuvendarit, por ka shtuar se nuk e kanë pranuar, pasi konsideron që kjo “nuk është ndarje e pushteteve”. 

Ai ka thënë se LDK-ja e konsideron të mbyllur për diskutim këtë çështje. 

“Do të  bëhemi gati për skenarin më të keq, më të rëndë e më të pakuptueshëm të zgjedhjeve të reja dhe të jashtëzakonshme. Nga fillimi parimet kanë qenë të qarta, presidenti i Kosovës nuk mund të jetë zgjatim i Qeverisë. S’mund të ketë një qeveri që ka një president të një partie dhe kështu t’i ketë tri institucionet … U përpoqa, provova, nuk arrita dhe tani i kthehemi LDK-së”, ka theksuar Abdixhiku. “Nuk kemi kërkuar asnjë pozicion për LDK-në e as për mua. Me kaq, në këto rrethana LDK nuk mund të bëjë më shumë. LDK-ja e lë të hapur diskutimin me partitë tjera. Nuk kemi dëgjuar asnjë propozim tjetër përveç që presidenti të jetë i Vetëvendosjes. LDK-ja e konsideron këtë çështje të mbyllur që nga ky moment”.

Kreu i LDK-së ka thënë se Kurti insistonte që pozita e presidentit t’i mbetet Vetëvendosjes. 

“Ne ishim në diskutim për presidentin. Unë nuk mund të propozoj për dikë që insiston që presidenti të mbetet i partisë së tij. Me LDK-në, Vetëvendosja nuk ka diskutuar asnjë emër përveç Konjufcës”, është shprehur Abdixhiku.

Ai ka deklaruar se emri i Osmanit nuk është përmendur për presidente.

“U dakorduam që të mos takohemi më edhe nuk kemi pse të takohemi. Prej këtij momenti e konsideroj të mbyllur këtë çështje”.

Abdixhiku ka thënë se e ka qëllim dhe është duke punuar për përafrimin me Vjosa Osmanin.

“Përafrimi do të ishte një lajm i mirë për Kosovën dhe LDK-në dhe është qëllim i imi dhe do të punoj për këtë qellim deri në ditën e fundit”, ka thënë Abdixhiku.