Rama: Jam kundër përçarjeve, koalicioni në Prishtinë për qytetarët – do ta vazhdojë mbështetjen për LDK-në

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar lidhur me emërimet e fundit në kryeqytet dhe zgjerimin e koalicionit qeverisës, duke përfshirë edhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK).

Përmes një postimi publik, Rama ka theksuar se bashkëqeverisja në Prishtinë nuk është e motivuar nga interesa politike, por nga nevoja për t’u shërbyer qytetarëve.

“Qeverisja është, në thelb, përgjegjësi ndaj qytetarit. Prandaj, obligimi ynë moral dhe politik është i qartë: të ofrojmë qeverisje që u shërben qytetarëve me përgjegjësi, bashkëpunim dhe respekt të ndërsjellë”, ka shkruar ai.

Rama ka theksuar se politika duhet të jetë mjet për realizimin e të mirës publike, duke shtuar se kryeqyteti ndodhet në një moment të rëndësishëm zhvillimor, sidomos me projektet madhore dhe përgatitjet për Lojërat Mesdhetare.

Sipas tij, këto procese kërkojnë stabilitet institucional dhe bashkëpunim ndërmjet subjekteve politike, duke nënvizuar se dallimet janë të natyrshme, por duhet tejkaluar në funksion të interesit të përbashkët.

“Qytetarët nuk jetojnë në parti, jetojnë në komunitet të përbashkët, prandaj ata janë përgjegjësi e përbashkët”, ka theksuar Rama, duke u shprehur kundër retorikës përçarëse.

Ai ka bërë të ditur se është finalizuar bashkëqeverisja në kryeqytet me Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokrate, Lidhja për Prishtinën dhe së fundmi me Partia Demokratike e Kosovës.

Sa i përket emërimeve, Rama ka sqaruar se ato nga Lidhja Demokratike e Kosovës janë bërë në përputhje me propozimet e “Kolegjiumit” të degëve të Prishtinës, ndërsa paralelisht janë përfshirë edhe përfaqësues të partnerëve të koalicionit.

Në fund, ai ka shprehur mirënjohje për drejtorët e deritanishëm për kontributin e tyre, duke u uruar suksese edhe atyre të rinj, si dhe ka ritheksuar mbështetjen e tij për Lidhja Demokratike e Kosovës në zgjedhjet e ardhshme.

Rama ka përfunduar duke theksuar se Kosova ka nevojë për stabilitet, bashkëpunim dhe institucione funksionale, e jo për krizë dhe polarizim politik.

Postimi:

Qeverisja është, në thelb, përgjegjësi ndaj qytetarit.

Prandaj, obligimi ynë moral dhe politik është i qartë: të ofrojmë qeverisje që u shërben qytetarëve me përgjegjësi, bashkëpunim dhe respekt të ndërsjellë.

Politika nuk duhet të jetë qëllim në vetvete, por mjet për të realizuar të mirën publike: për qytetarin.

Sot, Prishtina ndodhet para një momenti të rëndësishëm historik dhe zhvillimor. Me projektet madhore që na presin, përfshirë përgatitjet për Lojërat Mesdhetare, ne nuk po ndërtojmë vetëm infrastrukturë moderne, por po ndërtojmë identitetin dhe perspektivën e një Kryeqyteti europian, funksional dhe konkurrues.

Këto procese kërkojnë stabilitet institucional, bashkëpunim dhe vendimmarrje të përgjegjshme.

Në një rend demokratik, dallimet janë të natyrshme dhe legjitime. Por pjekuria politike matet me aftësinë për t’i tejkaluar ato në funksion të interesit të përbashkët.

Qytetarët nuk jetojnë në parti, jetojnë në komunitet të përbashkët, prandaj ata janë përgjegjësi e PËRBASHKËT. Nevojat e tyre nuk janë çështje interpretimi politik, por detyrim për zgjidhje konkrete të menjëhershme.

Jam kundër çdo retorike përçarëse. Ne jemi një POPULL. Një SHTET. Prandaj, duhet vizion i përbashkët, stabilitet dhe veprime të përgjegjshëm institucionale nga secili prej nesh.

Duke vendosur qytetarin në qendër dhe duke qenë të vetëdijshëm se pushteti është shërbim, e jo instrument bllokimi, kemi finalizuar bashkëqeverisjen në Kryeqytet me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Nismën Socialdemokrate, Lidhjen për Prishtinën dhe së fundmi me Partinë Demokratike të Kosovës(PDK).

Në këtë kuadër, emërimet nga Lidhja Demokratike e Kosovës(LDK), janë bërë konfirm propozimeve të ardhura nga ”Kolegjiumi” i përbërë nga pesë degët e Prishtinës, një mekanizëm i themeluar nga vetë LDK, që garanton përfaqësim, balancë dhe legjitimitet të brendshëm. Paralelisht, janë emëruar edhe përfaqësuesit e partnerëve tanë nga AAK, Nisma, Lidhja për Prishtinën dhe PDK, duke reflektuar një qasje gjithëpërfshirëse dhe funksionale.

Kryeqyteti është shembull i bashkëpunimit dhe zhvillimit dhe ashtu do të mbetet!

Shpreh mirënjohje të veçantë për drejtorët e deritanishëm, të cilëve u ka përfunduar mandati, për profesionalizmin dhe kontributin e tyre të çmuar në shërbim të qytetit. Ndërsa drejtorëve të rinj u uroj suksese dhe përgjegjësi të lartë në detyrat që marrin përsipër.

Ashtu siç e kam përkrahur pakusht Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) në zgjedhjet e kaluara, do ta përkrah edhe në këto zgjedhje, me bindjen se demokracia, stabiliteti institucional dhe kultura shtetformuese duhet të mbrohen dhe të forcohen vazhdimisht. Përgjegjësi, rend, zhvillim dhe shërbim ndaj qytetarit, pa retorikë përçarëse por me vizion të qartë për të ardhmen, kjo është filozofia e së djathtës!

Kosova nuk ka nevojë për më shumë krizë e polarizim, por për institucione funksionale, bashkëpunim dhe vizion për zhvillim. Sepse lidershipi i vërtetë nuk matet me aftësinë për të krijuar tension, por me aftësinë për të bashkuar njerëzit, për të ndërtuar stabilitet institucional, dhe për ta çuar vendin përpara.