Hamza: Fatmir Limaj nuk do të jetë pjesë e listës në këto zgjedhje

Fatmir Limaj nuk do të jetë pjesë e listës së Partisë Demokratike të Kosovës për zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, në konferencë për media pas mbledhjes së Kryesisë së PDK-së, ka kumtuar lajmin.

Hamza ka thënë se mirëpresin kontributin e Limajt dhe Nismës Socialdemokrate për Partinë Demokratike për zgjedhjet e 7 qershorit. Por, ka thënë se kësaj radhe në listë s’do të jenë pjesë asnjë nga anëtarët e Nismës, si pjesë e një marrëveshje politike. 

“E presim dhe e mirëpresim kontributin që do të japë Fatmir Limaj dhe Nisma Socialdemokrate… Kësaj radhe nuk do të jetë pjesë e listës së PDK-së”, ka thënë Hamza. “Sigurisht se z. Limaj në të ardhmen, në procese të rregullta të brendshme zgjedhore, është i mirëpritur të jetë pjesë e PDK-së. Sa i përket garimit në këtë listë, është qëndrim i përgjithshëm që fillimisht duhet të ndodhë një përkrahje për PDK-në, vullnet i mirë nga ana e Nismës Socialdemokrate, pastaj në zgjedhjet e ardhshme do t’i trajtojmë në mënyrë të duhur. Kësaj radhe Limaj s’do të jetë pjesë e listës së PDK-së”.

Ai tha se Limaj në letrën që ia ka dërguar nuk ka kërkuar që të jetë i përfshirë në listë.