Kujdes nga SMS-të mashtruese për tejkalim të shpejtësisë

Qytetarë të shumtë në Kosova kanë raportuar ditëve të fundit pranimin e SMS-ve mashtruese, në të cilat pretendohet se janë kapur nga “kamerat inteligjente” duke vozitur mbi shpejtësinë e lejuar, ahkruan Gazeta Stop.

Në këto mesazhe, qytetarëve u kërkohet të klikojnë në linke të dyshimta për të parë ose paguar gjobën e pretenduar, gjë që dyshohet se bëhet me qëllim të vjedhjes së të dhënave personale apo bankare.

Autoritetet dhe ekspertët e sigurisë kibernetike u bëjnë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes maksimal dhe të mos hapin linke të panjohura që vijnë përmes SMS-ve apo aplikacioneve të tjera.

Sipas paralajmërimeve, Policia e Kosovës dhe institucionet zyrtare nuk dërgojnë gjoba përmes linkeve të dyshimta apo mesazheve jozyrtare.

Qytetarët këshillohen që:

  • të mos klikojnë në linket e dërguara
  • të mos japin të dhëna personale apo bankare
  • të verifikojnë çdo informacion vetëm përmes kanaleve zyrtare
  • të raportojnë rastet tek autoritetet përkatëse

Ekspertët paralajmërojnë se mashtrime të tilla janë duke u përhapur në rajon dhe synojnë të krijojnë panik apo presion tek qytetarët për t’i shtyrë ata të klikojnë në faqe të rreme.