Eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, ka bërë thirrje që fokusi i institucioneve dhe i shoqërisë në Kosovë të zhvendoset nga përplasjet politike drejt zhvillimit ekonomik dhe krijimit të një të ardhmeje më të qëndrueshme për qytetarët.
Përmes një postimi, Gërxhaliu thekson se sfida kryesore për vendin nuk është se kush e fiton debatin politik, por se çfarë modeli zhvillimi dëshiron të ndërtojë Kosova për brezat e ardhshëm.
“Pyetja më e madhe është se çfarë vendi po duam të ndërtojmë dhe çfarë të ardhme po duam t’ua lëmë fëmijëve tanë”, ka shkruar ai.
Sipas tij, Kosova nuk vuan nga mungesa e potencialit, pasi ka një diasporë të fuqishme, rini dinamike, lidhje të rëndësishme me Evropën dhe resurse njerëzore të afta. Megjithatë, ai vlerëson se këto potenciale nuk mund të japin rezultate pa u shndërruar në investime, institucione funksionale dhe politika zhvillimore.
Një pjesë të veçantë të analizës së tij, Gërxhaliu ia kushton diasporës, për të cilën thotë se nuk duhet të shihet vetëm si burim remitencash, por si kapital i dijes, përvojës dhe lidhjeve me tregjet ndërkombëtare.
“Diaspora duhet të sjellë jo vetëm para, por edhe standarde, kulturë pune dhe përvojë. Ajo ka të drejtë të investojë dhe të fitojë në Kosovë, nëse ky fitim krijon vende pune, teknologji dhe zhvillim”, thekson ai.
Eksperti i ekonomisë bën thirrje që edhe biznesi të largohet nga ndikimet politike dhe të kërkojë konkurrencë të ndershme, politika të qëndrueshme fiskale, mbështetje për eksportet dhe luftim të ekonomisë joformale.
Në të njëjtën kohë, ai vlerëson se qeveria duhet të krijojë një ambient të sigurt për investime, ku bizneset dhe investitorët të kenë besim te institucionet dhe sundimi i ligjit. Sipas tij, investimet e huaja direkte janë jetike për një ekonomi si ajo e Kosovës, e cila vazhdon të përballet me deficit të lartë tregtar dhe varësi nga importet.
Gërxhaliu kërkon gjithashtu më shumë përgjegjësi edhe nga opozita, duke theksuar se kontrolli i qeverisë është detyrim demokratik, por se çështjet strategjike si ekonomia, energjia, arsimi dhe integrimet evropiane duhet të trajtohen me konsensus më të gjerë politik.
Në fund të mesazhit të tij, ai nënvizon se zhvillimi ekonomik nuk është vetëm çështje statistikash dhe treguesish financiarë, por lidhet drejtpërdrejt me cilësinë e jetës së qytetarëve.
“Pas secilit numër është një familje, një i ri që vendos nëse do të qëndrojë apo do të largohet, një biznes që mendon të investojë dhe një emigrant që pyet nëse ia vlen ta kthejë kapitalin dhe dijen në vendin e vet”, shkruan Gërxhaliu.
Sipas tij, vetëm duke vendosur ekonominë mbi përplasjet politike, punën mbi propagandën dhe institucionet mbi interesat e ngushta partiake, Kosova mund të krijojë një të ardhme ku qytetarët do ta shohin vendin e tyre si hapësirë për të jetuar, investuar dhe ndërtuar jetën me dinjitet.