ATK pezullon dy zyrtarë tatimorë pas aktakuzës për marrje ryshfeti

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka njoftuar se ka suspenduar përkohësisht nga detyra dy zyrtarë tatimorë, pasi ndaj tyre është ngritur aktakuzë nga Prokuroria Themelore në Gjakovë për veprat penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe marrjes së ryshfetit.

Sipas njoftimit të ATK-së, vendimi për suspendim është marrë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe dispozitat që rregullojnë marrëdhënien e punës dhe statusin e zyrtarëve tatimorë.

“Pezullimi i përkohshëm hyn në fuqi menjëherë dhe do të zgjasë deri në përfundimin e procedurës gjyqësore dhe marrjen e një vendimi përfundimtar nga organet kompetente”, thuhet në njoftim.

ATK thekson se nuk toleron asnjë formë të keqpërdorimit të detyrës zyrtare apo veprime që cenojnë integritetin institucional.

Institucioni ka bërë të ditur se do të vazhdojë të zbatojë me përpikëri dispozitat ligjore në çdo rast që lidhet me shkelje të tilla, duke riafirmuar përkushtimin për transparencë, llogaridhënie dhe integritet institucional.