BQK parashikon ngadalësim të rritjes ekonomike e përshpejtim të rritjes së çmimeve

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) parashikon se ekonomia e vendit do të vazhdojë të rritet gjatë vitit 2026, por me një ritëm më të ngadalësuar, ndërsa inflacioni pritet të shënojë rritje të ndjeshme.

Në raportin vjetor për vitin 2025, të miratuar nga Bordi i BQK-së dhe të dorëzuar në Kuvend, institucioni parashikon një rritje ekonomike prej 3.5 për qind për vitin 2026, krahasuar me 3.6 për qind sa ishte vlerësuar rritja gjatë vitit 2025.

Sipas raportit, rritja ekonomike do të mbështetet kryesisht nga konsumi privat dhe eksportet, ndërsa sfidat në tregtinë ndërkombëtare, tensionet gjeopolitike dhe pasiguritë në ekonominë globale mbeten rreziqet kryesore për zhvillimin ekonomik të Kosovës.

BQK thekson se konsumi privat pritet të vazhdojë të jetë motori kryesor i ekonomisë, i nxitur nga rritja e remitencave, kompensimit të punëtorëve dhe kreditimit. Ndërkohë, investimet pritet të kenë ndikim negativ në rritjen ekonomike, ndërsa eksportet neto pritet të japin një kontribut pozitiv.

Raporti paralajmëron gjithashtu se inflacioni mesatar gjatë vitit 2026 mund të arrijë në 6.7 për qind, pas një mesatareje prej 3.9 për qind gjatë vitit 2025. Sipas BQK-së, rritja e çmimeve do të vijojë të ndikohet nga ushqimet, energjia dhe zhvillimet në tregjet ndërkombëtare.

Institucioni vlerëson se një zbutje graduale e inflacionit mund të ndodhë gjatë gjysmës së dytë të vitit 2026, ndërsa në vitin 2027 norma mesatare pritet të bjerë në rreth 4.5 për qind.

Në raport theksohet se ekonomia e Kosovës mbetet e ekspozuar ndaj rreziqeve të jashtme, përfshirë tensionet gjeopolitike, luhatjet e çmimeve të energjisë, ndërprerjet në zinxhirët globalë të furnizimit dhe ngadalësimin e mundshëm të ekonomisë së Bashkimit Evropian, partnerit kryesor tregtar të vendit.

BQK evidenton se gjatë vitit 2025 u thellua edhe deficiti tregtar, i cili arriti në 6.1 miliardë euro, si rezultat i rritjes së importeve me 10.6 për qind, ndërsa eksportet e mallrave shënuan rënie të lehtë. Në anën tjetër, eksporti i shërbimeve vazhdoi të rritet, i mbështetur kryesisht nga shpenzimet e diasporës dhe sektori i turizmit.