Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë thirrje për unitet brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), duke theksuar se fokusi i partisë duhet të jetë mbrojtja e demokracisë dhe jo debatet rreth individëve.
I pyetur nga gazetarët për zhvillimet e fundit brenda LDK-së, Rama tha se partia ka qenë gjithmonë e bashkuar dhe duhet të vazhdojë në të njëjtën frymë.
“LDK ka qenë bashkë, është bashkë dhe duhet me vazhdu bashkë. S’është për një person, as për mu as për dikë tjetër, është për të ardhmen e vendit, me e mbrojtë demokracinë në këtë vend, me e luftu autokracinë. Këto janë temat, nuk është a është ky a është ai”, deklaroi ai.
Deklarata e Ramës vjen në një periudhë kur LDK-ja është përballur me diskutime të brendshme lidhur me drejtimin e partisë dhe organizimin pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit. Në javët e fundit janë shtuar zërat për nevojën e reformimit të partisë dhe mbajtjen e zgjedhjeve të brendshme, ndërsa një pjesë e zyrtarëve kanë kërkuar reflektim pas rezultatit zgjedhor.
Përparim Rama, i cili njëherësh është nënkryetar i LDK-së dhe kryetar i Komunës së Prishtinës, ka shmangur komentet për emra konkretë apo përplasjet e mundshme brenda partisë, duke insistuar se prioritet duhet të mbetet ruajtja e unitetit dhe forcimi i rolit të LDK-së në skenën politike.
LDK, një nga partitë më të vjetra në Kosovë, pritet të mbajë procese të rëndësishme të brendshme në muajt në vijim, ndërsa debati për organizimin dhe drejtimin e saj vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes politike.