Hamza: Bisedova me Hashim Thaçin, më 16 shtator drejtësia do të vihet në vend

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka bërë të ditur se ka zhvilluar një bisedë telefonike me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po gjykohet në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Përmes një postimi në Facebook, Hamza tha se gjatë bisedës me Thaçin kanë folur për Kosovën, familjet, miqtë dhe qytetarët që, sipas tij, “nuk kanë reshtur asnjë ditë së besuari në rikthimin e tyre”.

Ai bëri të ditur se pjesë e bisedës ishte edhe procesi gjyqësor në Hagë dhe vonesat në shpalljen e aktgjykimit.

“Folëm edhe për pritjen e gjatë për drejtësi, një pritje e rënduar nga shtyrjet e vazhdueshme të shpalljes së aktgjykimit. Megjithatë, një gjë mbetet e qartë: drejtësia mund të vonohet, por nuk duhet të tjetërsohet”, ka shkruar Hamza.

Kreu i PDK-së tha se ia ka përcjellë Thaçit përshëndetjet dhe mbështetjen e qytetarëve të Kosovës, duke shprehur besimin e tij se më 16 shtator “drejtësia do të vihet në vend” dhe ish-krerët e UÇK-së do të kthehen të lirë në Kosovë.

Sipas Hamzës, edhe Thaçi ka kërkuar që përmes tij t’u përcillen qytetarëve përshëndetjet e tij, ndërsa bisedën e kanë përmbyllur me shpresën se së shpejti do të takohen në Kosovë.

Në fund të postimit, Hamza ka shkruar: “Dielli do të lindë përsëri! Për çlirimtarët, për historinë tonë të lavdishme dhe për Kosovën!”.

Procesi gjyqësor ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe bashkëakuzuarve në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë po vazhdon, ndërsa shpallja e aktgjykimit është paralajmëruar për 16 shtator.