Shtetet e Bashkuara thanë se janë në pritje të krijimit të kushteve për nisjen e Dialogut Strategjik me Kosovën, duke theksuar se ato përfshijnë edhe përmbushjen e zotimeve të Prishtinës ndaj pakicës serbe.
Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit rikujtoi se Dialogu Strategjik u pezullua në shtator të vitit 2025, “për një periudhë të pacaktuar”, për shkak të shqetësimeve lidhur me veprimet e Qeverisë në detyrë të Kosovës.
“Ne mbetemi të përkushtuar për avancimin e interesave të përbashkëta të Shteteve të Bashkuara dhe popullit të Kosovës. Presim me padurim të zhvillojmë një Dialog Strategjik me Kosovën kur të krijohen kushtet e duhura, përfshirë përmbushjen nga Kosova të zotimeve të saj në raport me serbët e Kosovës”, thuhet në përgjigje.
Departamenti i Shtetit nuk dha një afat se kur mund të nisë Dialogu Strategjik dhe nuk i specifikoi më shumë hapat që i pret nga autoritetet e Kosovës.
Përgjigjja vjen në ditën kur Uashingtoni nis rundin e parë të Dialogut Strategjik me Serbinë – një proces që synon thellimin e bashkëpunimit dypalësh në fusha si: siguria, ekonomia dhe politika e jashtme.
“Nëpërmjet këtij dialogu, SHBA-ja dhe Serbia do të punojnë për arritjen e objektivave të përbashkëta, përfshirë paqen dhe stabilitetin rajonal, zgjerimin e lidhjeve në fushën e biznesit dhe arsimit, si dhe ndërtimin e një të ardhmeje më të begatë”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit për Radion Evropa e Lirë.
Ambasada amerikane në Prishtinë njoftoi më 12 shtator 2025 se Shtetet e Bashkuara e kishin pezulluar për një periudhë të pacaktuar Dialogun Strategjik me Kosovën.
Në atë kohë, Ambasada tha se vendimi është marrë për shkak të “shqetësimeve lidhur me veprimet e Qeverisë në detyrë”, të cilat, sipas saj, “kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë” dhe kanë kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën për prioritetet e përbashkëta.
Vendimi erdhi pasi autoritetet e Kosovës ndërmorën veprime ndaj institucioneve serbe që funksiononin në Kosovë.
Ato, po ashtu, kritikuan publikisht Gjykatën Kushtetuese të vendit për një vendim lidhur me mandatin e deputetëve.
Uashingtoni i cilësoi këto zhvillime si faktorë që rritën tensionet politike dhe vështirësuan bashkëpunimin, ndërsa Qeveria në detyrë tha se ato ishin “të ligjshme dhe kushtetuese”.
Prej vitesh, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian i kërkojnë Kosovës të zbatojë marrëveshjet e arritura në dialogun me Serbinë, të ndërmjetësuar nga BE-ja.
Ato përfshijnë, mbi të gjitha, themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe sigurimin e një niveli të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, në përputhje me Marrëveshjen Bazë të vitit 2023 dhe Aneksin e Ohrit.
Po ashtu, Perëndimi kërkon që Kosova t’i zgjidhë kontestet me Kishën Ortodokse Serbe, të mbrojë liritë fetare dhe të shmangë veprime të njëanshme në veriun e vendit, të cilat, sipas Uashingtonit, kanë rritur tensionet me komunitetin serb.
Kosova argumenton se zbatimi i obligimeve nga dialogu duhet të jetë i ndërsjellë, ndërsa veprimet e saj në veri – nga heqja e dinarit serb nga përdorimi deri te mbyllja e shumicës së institucioneve paralele serbe – kanë pasur për qëllim shtrirjen e sundimit të ligjit.