Haziri: Pa LDK-në nuk ka as zgjidhje e as zgjedhje, partia i takon anëtarësisë

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka reaguar ndaj kritikave dhe debateve që, sipas tij, po zhvillohen rreth partisë, duke theksuar se LDK-ja ka kapacitet të përballet me sfidat politike përmes demokracisë së brendshme dhe marrëveshjeve politike.

Në një postim në rrjetet sociale, Haziri tha se përpiqet t’i kuptojë të gjithë ata që, sipas tij, merren me LDK-në duke e këshilluar se si duhet të veprojë, ndërsa shtoi se pas 38 vjetësh në politikë i njeh motivet dhe agjendat që qëndrojnë pas këtyre qëndrimeve.

Ai u shpreh se i kupton më së shumti aktivistët dhe anëtarët e LDK-së, të cilët, sipas tij, dëshirojnë ta shohin partinë fituese në zgjedhje. Haziri kritikoi, ndërkaq, ata që dikur e lavdëruan LDK-në, por më pas, sipas tij, “shkruan nekrologji” për partinë.

“LDK i takon anëtarësisë e jo funksionarëve”, shkroi Haziri, duke shtuar se partia mund t’i trajtojë çështjet e saj përmes debatit të brendshëm dhe proceseve demokratike.

Nënkryetari i LDK-së vlerësoi se periudha pas pavarësisë dhe pas epokës së Ibrahim Rugovës ka dëshmuar se “pa LDK-në nuk ka as zgjidhje e as zgjedhje”, ndërsa theksoi se stabiliteti dhe normalizimi i Republikës kalojnë përmes rolit të kësaj partie.

Haziri gjithashtu tha se rikthimi i fuqishëm i LDK-së mund të arrihet përmes një marrëveshjeje të gjerë politike, pa cenuar demokracinë e brendshme, duke e cilësuar LDK-në si forcën që, sipas tij, nisi ringritjen e shoqërisë në periudha të vështira.