Kurti: Diskutimet do të vazhdojnë, për herë të parë kemi folur për emra

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, pas takimit me kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se diskutimet do të vazhdojnë dhe se për herë të parë është diskutuar për emra të përveçëm për një president konsensual. 

“Diskutimi ishte i hapur, serioz, i sinqertë. Do të vazhdojmë bisedimet për shkak se është rritur mirëbesimi dhe është hera e parë që kemi biseduar me dhe për emra të përveçëm.  Negocimi është shumë i vështirë sepse duhet të diskutohet hollësisht dhe gjerësisht, shumësia e emrave që trajtohen shtohet atëherë kur njërit prej bashkëbiseduesve në radhën kur ka fjalën sjell emër të ri dhe argumenton për filan personin e pastaj duhet të dëgjojë të tjerët çfarë mendojnë për atë person. Por lista zvogëlohet kur është e qartë se nuk mund të ketë dakordim për emër të përveçëm”, tha kryeministri në detyrë, Kurti. 

Kurti ka thënë se emrat që janë përmendur nuk janë pyetur paraprakisht se a do të pranonin apo dëshironin të jenë president apo presidente. 

“Paraprakisht duhet të dakordohemi ne andaj në këtë fazë nuk mund të flasim konkretisht për emra të përveçëm që sot për herë të parë jemi duke i trajtuar si emra për president të mundshëm”, tha Kurti.