Osmani mbështet kandidaturën e Bekim Sejdiut për president: Përfaqëson seriozitetin dhe integritetin

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur mbështetjen e saj për kandidaturën e Prof. Dr. Bekim Sejdiut për president të Republikës së Kosovës.

Përmes një postimi, Osmani e ka cilësuar Sejdiun si një figurë që, sipas saj, përfaqëson seriozitetin, integritetin dhe vizionin e nevojshëm për ushtrimin e përgjegjësisë së presidentit.

“Sot, Kosova ka një emër për Presidentin e Republikës që përfaqëson seriozitetin, integritetin dhe vizionin që kërkon një përgjegjësi e tillë. Prof. Dr. Bekim Sejdiu”, ka shkruar Osmani.

Ajo ka vlerësuar përvojën profesionale dhe integritetin e Sejdiut, duke theksuar se e njeh atë prej 25 vitesh dhe se kanë bashkëpunuar edhe gjatë mandatit të saj si presidente.

“Për mua, ai është gjithashtu një bashkëpunëtor i dëshmuar, me të cilin kam pasur nderin të bashkëpunoj për 25 vite, përfshirë në kabinetin tim gjatë mandatit tim si Presidente, si dhe ta njoh nga afër përkushtimin, karakterin dhe përgjegjësinë e tij”, ka deklaruar Osmani.

Në fund të reagimit, ish-presidentja ka thënë se vendimi për zgjedhjen e presidentit u takon përfaqësuesve të zgjedhur të Republikës, duke u bërë thirrje që procesi të udhëhiqet nga interesi shtetëror dhe stabiliteti institucional.

“Ta bëjmë këtë zgjedhje duke menduar për Kosovën që duam të ndërtojmë, për interesin shtetëror, për stabilitetin institucional, për fuqizimin e aleancës euroatlantike e për demokracinë”, ka shkruar Osmani.

Ajo e ka përmbyllur postimin me mesazhin: “Na priftë e mbara, për Republikën mbi të gjitha”.