Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, ka ngritur pikëpyetje mbi prioritetet dhe planifikimin institucional të shtetit, duke vënë në përballje shpenzimet për paga e pensione me ato të lidhura me proceset gjyqësore në Hagë.
Sipas tij, Qeveria ka rialokuar 102 milionë euro për paga dhe pagesa retroaktive, ndërsa rreth 20 milionë euro janë ndarë për pensionet.
Shahini thotë se, përveç mbështetjes për punëtorët dhe pensionistët, shteti duhet të planifikojë edhe interesat e tij strategjike.
Ai thekson se deri në shtator të vitit 2026, Kosova ka shpenzuar mbi 40.6 milionë euro për mbrojtjen dhe obligimet e lidhura me proceset në Hagë.
“Pas gjashtë vitesh, pyetja është e pashmangshme: A bëri Kosova, që nga dita e parë, gjithçka që ishte e mundur për një mbrojtje sa më të fuqishme juridike dhe çfarë po bën sot?”, ka deklaruar Shahini.
Ai ka ngritur gjithashtu pyetje nëse ka pasur një strategji të qartë shtetërore, nëse janë angazhuar ekipet më të specializuara ndërkombëtare dhe nëse janë përdorur të gjitha kapacitetet që kishte në dispozicion shteti.
Shahini ka kërkuar nga Kuvendi dhe Qeveria që të ndërmarrin një analizë të plotë institucionale për mënyrën e organizimit dhe financimit të mbrojtjes juridike në Hagë, si dhe për nivelin e transparencës lidhur me shpenzimet.
Sipas tij, duhet të shqyrtohet edhe mundësia e ndryshimeve ligjore për krijimin e një mekanizmi më të fuqishëm shtetëror për mbështetjen e mbrojtjes juridike të ish-pjesëtarëve të UÇK-së që përballen me proceset në Hagë.
“Shteti nuk duhet të reagojë pasi kriza të ketë ardhur. Shteti duhet të planifikojë, të mbrojë dhe të veprojë me kohë. Koha për përgjegjësi dhe veprim institucional është tani. Nesër është vonë”, ka thënë në fund Shahini.