Kurti: Po e mbështesim ndryshimin e Ligjit për Specialen, por kërkojmë më shumë kohë dhe strategji shtetërore

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Qeveria do ta mbështesë në lexim të parë ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, por ka kërkuar që procesi të trajtohet me më shumë kujdes dhe pas një analize të plotë.

Në fjalimin e tij në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, Kurti e cilësoi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si bartëse të luftës çlirimtare të popullit të Kosovës dhe tha se lufta e saj ishte përgjigje ndaj asaj që ai e quajti gjenocid të Serbisë.

Kurti tha se ndryshimet e propozuara për Specialen janë të ngutshme, duke theksuar se ende nuk është publikuar aktgjykimi në formën e tij të plotë dhe përfundimtare.

“Ne konsiderojmë se këto lëvizje për ndryshimin e ligjit për Gjykatën Speciale janë të ngutshme dhe nuk janë analizuar e menduar sa duhet”, tha Kurti.

Ai rikujtoi kundërshtimin e tij ndaj themelimit të Dhomave të Specializuara në vitin 2015, duke thënë se përgjegjësinë politike për krijimin e tyre duhet ta mbajnë ata që e votuan themelimin.

Megjithatë, Kurti tha se Qeveria do ta mbështesë projektligjin në lexim të parë, edhe pse nuk është e bindur për dobishmërinë e tij.

“Ne nuk jemi të bindur për dobinë e këtij ligji, e dimë që ju besoni në të, dhe ne duam të besojmë në besimin tuaj”, tha ai.

Kryeministri kërkoi që pas miratimit në lexim të parë të bëhet një analizë më e thellë dhe të pritet aktgjykimi i plotë, para se të ndërmerren hapa të tjerë.

Ai bëri thirrje edhe për një strategji shtetërore për çështjen e ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë, duke theksuar se përballja me këtë proces nuk duhet të jetë vetëm partiake apo individuale.

Sipas Kurtit, Kosova duhet të ketë një organizim dhe strategji shtetërore, ndërsa paralajmëroi se veprimet pa një strategji të qartë mund të prodhojnë rezultate të padëshiruara.

Në fund të fjalimit, Kurti e lidhi çështjen e Speciales me funksionimin e institucioneve të Kosovës, duke thënë se vendit i duhet edhe një president dhe stabilitet institucional.

“Duhet ligj për Gjykatën në Hagë, por duhet edhe President për Kosovën”, tha Kurti, duke argumentuar se një strategji për Hagën nuk mund të zbatohet pa institucione funksionale dhe qeverisje stabile.

Fjala e plotë e Kryeministrit Albin Kurti, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës:

E nderuara Kryetare e Kuvendit, znj. Albulena Haxhiu,
Të nderuar deputetë të Kuvendit,
Të dashur qytetarë të republikës,

Lufta e drejtë e popullin tonë ishte luftë çlirimtare dhe antikolonialiste. Bartëse e kësaj lufte ishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës. UÇK-ja është shprehja më e lartë politiko-ushtarake në historinë tonë çlirimtare që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit.

UÇK-ja nuk ishte thjeshtë përgjigje ndaj suprimimit të autonomisë së Kosovës në vitin 1989, por përgjigje ndaj gjenocidit të katërt të Serbisë ndaj shqiptarëve.

Gjenocidi i parë u bë në vitet e 1875-1880, i dytë në vitit 1912-1913, i treti në vitet 1944-1946 dhe i katërti në vitet 1998-1999.

Çdo gjenocid i Serbisë ishte më parë i shkruar në letër e më pastaj i zbatuar në praktikë. Gjithsej janë 24 programe të zyrave të larta të shtetit e të akademisë serbe për shfarosjen e shqiptarëve. Andaj, konflikti historik me disa luftëra përgjatë 1 shekulli e gjysmë, nuk ishte midis shqiptarëve dhe serbëve, por midis shqiptarëve si komb dhe Serbisë si shtet.

UÇK-ja është emri i kryengritjes së armatosur të shqiptarëve kundër gjenocidit të katërt të Serbisë. Për UÇK-në nuk mund të ketë gjyq.

Të nderuar deputetë,

Ka qenë një kohë shumë e shkurtër për ta analizuar si duhet ligjin, aq më tepër kur ende nuk e kemi Aktgjykimin në formën e tij të prerë.

Ne konsiderojmë se këto lëvizje për ndryshimin e ligjit për Gjykatën Speciale janë të ngutshme dhe nuk janë analizuar e menduar sa duhet. Veprime të ngutshme janë bërë edhe në vitin 2013 dhe më pas në vitin 2015, kur është votuar krijimi i kësaj Gjykate, përkatësisht Dhomave të Specializuara. Atëherë nuk na keni dëgjuar. Të paktën sot do të duhej të na konsultonit dhe të na jepnit kohën e nevojshme që çështja të trajtohet shumë më seriozisht.

Zemërimi i qytetarëve ndaj Gjykatës sot është i drejtë. Ka qenë i pranishëm edhe në vitin 2015, por atëherë ky zemërim nuk është marrë parasysh nga deputetët në Kuvend. Prandaj, ankesat për Gjykatën duhet t’u drejtohen atyre që e themeluan, jo atyre që e kundërshtuan. Përgjegjësinë e mbajnë ata që e themeluan.

Ne e kemi kundërshtuar Gjykatën Speciale që në fillim, por atëherë nuk e kishim mbështetjen tuaj, ndërsa ne po ju mbështesim sot.

Ju kemi mbështetur me Rezolutën në Kuvend.

Ju kemi mbështetur edhe duke e proceduar projekt-ligjin nga Qeveria në Kuvend.

Sot, po ju mbështesim edhe me votën tash në lexim të parë.

Pra, sa herë që bëhet fjalë për një çështje që prek interesin e përbashkët të vendit, ne edhe kemi pasur të drejtë, por edhe kemi treguar se dimë të veprojmë përtej dallimeve politike.

Ne nuk jemi të bindur për dobinë e këtij ligji, e dimë që ju besoni në të, dhe ne duam të besojmë në besimin tuaj. Po ashtu, na keni thënë që këtë projektligj e mbështesin edhe ekipet mbrojtëse, andaj po ua mbështesim ne.

Të nderuar deputetë,

Unë si Kryeministër po mundohem t’i drejtoj dhe t’i korrigjoj gabimet që janë bërë ndër shumë vite, por disa prej tyre janë shumë të vështira për t’u korrigjuar, e marrin shumë kohë, sepse nuk varen vetëm nga ne. Por edhe kur varen nga ne, duhet të veprojmë me shumë kujdes, jo me shumë nguti.

Prandaj, unë po të isha në vendin tuaj, nuk do të ngutesha. Do ta bëja një analizë të plotë, do ta prisja Aktgjykimin në formën e tij të plotë dhe pastaj do të vepronim bashkë.

Ne po ju themi se kjo çështje kërkon më shumë kohë dhe më shumë analizë. Ju po u thoni qytetarëve se e keni zgjidhjen. Ne nuk jemi të bindur se është kështu, por përsëri nuk do t’ju pengojmë.

Duhet ta keni parasysh jo vetëm shkakun që ju shtyn të votoni sot, por edhe pasojat që mund t’i prodhojë ky votim nesër. Nuk mjafton vetëm të reagojmë ndaj një padrejtësie, por duhet të sigurohemi që, duke tentuar ta korrigjojmë një gabim, të mos e prodhojmë një tjetër.

Megjithëkëto, ne s’po ju pengojmë. Por, bashkë me këtë votë, duhet ta merrni edhe përgjegjësinë politike.

Të nderuar kolegë nga Qeveria dhe deputetë të Kuvendit,

Adresa e fitores është Apeli. Aty dilet triumfues. E për fitore nevojitet organizim dhe strategji. Organizimi duhet të jetë shtetëror, dhe strategjia të jetë shtetërore. Organizimi nuk bën të jetë partiak apo joqeveritar. Dhe nuk ndihmojnë veprimet e gjestet pa strategji e para strategjisë. Ato janë veçse energji pa fuqi e ndryshimet pozitive kërkojnë fuqi. Shfryrje mllefi pa suksesin e duhur, e neve na duhet suksesi. Prandaj, ne po e mbështesim këtë projekt-ligj, pikërisht që menjëherë pas zgjedhjes së presidentit të ulemi bashkë për strategji shtetërore e kombëtarë për të na nxjerr fitimtarë.

Duhet ta kemi të qartë edhe një gjë tjetër. Për të pasur një strategji të qëndrueshme për situatën e padrejtë në Hagë, duhet të kemi edhe një shtet fort të qëndrueshëm e tërësisht funksional në Kosovë.

Duhet ligj për Gjykatën në Hagë, por duhet edhe President për Kosovën.

Njëra pa tjetrën mund të jetë shumë e dëmshme. Nuk mund të pretendojmë se po e mbrojmë interesin e Kosovës në Hagë, ndërkohë që lejojmë vakum dhe pasiguri institucionale në Kosovë.

Na duhet një strategji serioze për Hagën. Por, për ta zbatuar atë strategji, na duhen institucione funksionale, një President që garanton vazhdimësinë kushtetuese dhe një qeverisje stabile.

Përndryshe, një ligj për Hagën pa stabilitet institucional dhe pa President të Kosovës e me zgjedhje të përsëritura, rrezikon të përfundojë në dështim për qytetarët, për çlirimtarët dhe për vetë shtetin e Kosovës.

Në fund, më lejoni të falënderoj kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, z. Bedri Hamzën, për takimet konstruktive që kemi pasur. Do të takohemi përsëri sot, sepse duhet të takohemi, duhet të merremi vesh, duhet të ecim përpara të gjithë bashkë.

Ju faleminderit!