Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) dhe Dhoma Kombëtare e Tregtisë kanë shprehur shqetësim për aktet e dhunës dhe dëmtimin e pronës publike e private në Shqipëri, duke kërkuar dialog institucional mes qeverisë dhe opozitës.
Agim Shahini, në cilësinë e përfaqësuesit të këtyre dy organizatave, ka theksuar se protesta paqësore është e drejtë demokratike, por dhuna ndaj institucioneve dhe shkatërrimi i pronës nuk mund të justifikohen si forma të protestës.
Sipas tij, veprimet që cenojnë rendin kushtetues dhe funksionimin e institucioneve kërkojnë reagim institucional dhe zbatim të ligjit, ndërsa përgjegjësit për aktet e dhunës duhet të mbajnë përgjegjësi në përputhje me procedurat ligjore.
AKB-ja dhe Dhoma Kombëtare e Tregtisë kanë paralajmëruar se përplasjet politike mund të kenë pasoja të drejtpërdrejta për bizneset, punëtorët, investitorët dhe ekonominë shqiptare.
Sipas tyre, dhuna dëmton klimën e investimeve, besimin e qytetarëve në institucione dhe imazhin ndërkombëtar të Shqipërisë, duke vështirësuar edhe rrugën e vendit drejt Bashkimit Evropian.
Në deklaratë, organizatat i kanë bërë thirrje qeverisë, opozitës dhe qytetarëve që të angazhohen urgjentisht në dialog institucional, duke theksuar se zgjidhjet demokratike kërkojnë maturi politike, kompromis dhe shmangie të përshkallëzimit të konfliktit.
“Shqipëria ka nevojë për institucione funksionale, siguri juridike, mbrojtje të pronës dhe një mjedis të qëndrueshëm për zhvillimin ekonomik”, thuhet në reagimin e tyre.
Shahini ka theksuar se dialogu është përgjegjësi politike, siguria është detyrim shtetëror, ndërsa respektimi i rendit kushtetues dhe zhvillimi ekonomik janë interesa kombëtare.
“Jo dhunës! Po dialogut, shtetit të së drejtës dhe integrimit evropian!”, është mesazhi përmbyllës i reagimit të AKB-së dhe Dhomës Kombëtare të Tregtisë.