A do ta lirojë zyrën nëse shkarkohet? Përgjigjet Ilir Meta

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, i pyetur nëse do ta lirojë zyrën në rast se Gjykata Kushtetuese vendos për shkarkimin e tij tha se presidenti është mbrojtës i interesave më të larta shtetërore.

“Kjo ishte një pyetje e mrekullueshme. E jashtëzakonshme. Ky institucion ka qenë çdo ditë dhe çdo sekondë në shërbim të popullit të Shqipërisë. Presidenti ka një mbrojtje të veçantë nga Kushtetua e Republikës. Jo rastësisht. Ai është kreu i shtetit dhe garanti më i lartë i Kushtetutës”, tha Meta për Euronews Albania.

Ai shtoi se Kushtetuta e thotë shumë qartë se presidenti shkarkohet vetëm për shkelje të rënda të Kushtetutës dhe kryerjen e një krimi të rëndë.

Gjykata Kushtetuese pritet të vërtetojë ose jo fajësinë e presidentit Ilir Meta në shkelje të Kushtetutës brenda 30 ditëve nga 7 shkurti.

Meta u shkarkua nga Parlamenti më 9 qershor 2021 me 104 vota, 7 kundër dhe 3 abstenime.

Në konkluzionet e raportit të Komisionit parlamentar Hetimor të ngritur më 8 maj 2021, thuhet se Meta ka shkelur të paktën pesë herë Kushtetutën me deklaratat dhe vendimet para zgjedhjeve të përgjithshme të 25 prillit.