A do ta ndalë VisaMetric pagesën prej 30 eurosh dhe a do t’ua kthejnë paratë qytetarëve, flet avokati i tyre

Avokati Flamur Abdullahu po kërkon nga VisaMetric që ta ndërprejë siç e quan “zhvatjen” ndaj qytetarëve me pagesën prej 30 euro për dërgesën me postë të pasaportës, çështje që e ka vërtetuar në dy shkallët e gjykatës, për ndërprerjen e kësaj praktike, mbrojtja e VisaMetric është në pritje të vendimit të shkallës së dytë, në formë të shkruar. Avokati Abdullahu po ashtu ka kërkuar që qytetarëve t’u riimbursohen paratë pas vendimeve të Gjykatave.

Pala mbrojtëse e operatorit ekonomik VisaMetric L.L.C, Fisnik Salihu, tha se janë në pritje të vendimit të shkallës së dytë të gjykatës dhe sipas tij gjithçka ka qenë konform ligjit dhe kërkesave të aplikantëve.

“Si përfaqësues të autorizuar ende nuk e kemi pranuar vendimin e Gjykatës së Apelit, andaj pa e pranu vendimin e plotë dhe pa e analizu nuk mundemi të deklarohemi, sapo ta pranojmë vendimin do të deklarohemi. Jemi duke pritë në formë të shkruar me na ardhë në kopje fizike dhe pasi ta analizojmë do të deklarohemi. Avokati (Flamur Abdullahu), ka publiku diçka, e kemi pa që ka mundësi që është refuzu, mirëpo pa e pranu zyrtarisht nuk mundemi me konfirmu. Pasi ta pranojmë vendimin, do të shohim për hapat e radhës, sepse konsiderojmë që VisaMetric deri më tani ka vepruar në përputhje të plotë me ligjin e aplikueshëm në Kosovë dhe shërbimet postare kanë qenë vlerë e shtuar për aplikantët për viza dhe cdo gjë ka qenë konform ligjit dhe kërkesave të aplikantëve”, tha Salihu për Gazetën Express.

Avokati Flamur Abdullahu Abdullahu ka deklaruar se nëse një familje 5 anëtarëshe ka aplikuar për viza, postën është dashur ta paguajnë 150 euro.

“Në fillim ka qenë postën me pagu aty cash, më pastaj kur ju ka shku në kontroll Mbrojtja e Konsumatorit e kanë bë pagesën avans. Mos me mujt me bë termin, pa e pagu postën. Kanë vazhdu me apliku, p.sh, e njëjta familje, e njëjta adresë, për 5 veta ia kanë marrë 150 euro vetëm për postë”, tha avokati Abdullahu për Gazetën Express.

Në mënyrë që atij dhe qytetarëve t’u kthehen paratë, avokati tha se ka ushtruar Padi Kolektive, në emër të interesit publik.

“Për këtë qëllim kam bë padi kolektive në emër të interesit publik, e tash e pres gjykatën mem ftu në seancë për padi kolektive, unë kam kërku me mu kthy mua paratë edhe gjithë të tjerëve kujna ia kanë marrë këtë pagesën kundër ligjit. Tash varet nga gjykata se sa shpejtë punon gjykata”, tha Abdullahu për Gazetën Express.

I njëjti shtoi se vendimi për ndalimin e pagesës prej 30 euro, është dashur të zbatohej nga VisaMetric L.L.C që nga marrja e vendimit të gjykatës së shkallës së parë.

“Vendimet që janë deri tash, janë që tash e tutje mos me ju marrë njerëzve para. Ne kërkojmë përmes padisë kolektive me u kthy ato që janë marrë më herët. Ata nuk e kanë respektu vendimin e gjykatës, sepse prej kur është nxjerrë vendimi i shkallës së parë, ata kanë qene të obliguar, por ata se kanë respektu vendimin e gjykatës”, u shpreh ai.