Abazoviq: Mendoj se ekziston një shumicë serioze për ta formuar qeverinë

Kryetari i Lëvizjes qytetare URA, Dritan Abazoviq, pas takimit me përfaqësuesit e Frontit Demokratik (DF) ka thënë se qëndrimi i DF-së është se duan të formojnë një Qeveri brenda shumicës parlamentare në Mal të Zi, se ka një afat të kufizuar dhe se disa çështje duhet trajtuar me prioritet.

“Me DF-në, si gjithmonë, një takim shumë i këndshëm. Ne prezantuam drejtimin tonë dhe prioritetet kryesore të qeverisë së pakicës”, tha Abazoviq, raporton “Vijesti.me”

Abazoviq ka treguar se dje i ka dërguar ftesë edhe liderit të Demokratëve, ish-kryetarit të Kuvendit, Aleksa Beçiq, por se nuk janë deklaruar nga kjo parti.

“Edhe një herë i ftoj të ulen në tavolinë. Nuk do të thotë se duhet të pajtohemi, por ne po e dërgojmë atë mesazh. Nëse ata refuzojnë dialogun, atëherë ky është qëndrimi i tyre legjitim. Është biseduar me të gjithë përjashtuar DPS-në, por nuk është problem që edhe me ta të flasim”, tha Abazoviq.

Ai ka thënë se nuk ka problem nëse ministra do të ishin njerëz si deputetët demokratë Dragan Prapoviq e Zdenka Popoviq.

Abazoviq pret që presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, të mbajë konsultime me të gjithë dhe sa më shpejt.

“Pres që presidenti ta bëjë këtë sa më shpejt. Mendoj se ka një shumicë serioze për ta formuar një Qeveri. Do të më pëlqente nëse Fronti Demokratik do të ishte pjesë e këtij procesi”, ka thënë Abazoviq. “Qëllimi është që Qeveria të ketë 49 deputetë apo më shumë. Nëse jo, nuk është zhbllokim i proceseve”.

Koalicioni “E zeza në të bardhën”, që propozoi një format të qeverisë së pakicës për ta kapërcyer krizën, tha se nuk do të kishte vend për DF-në dhe DPS-në në qeveri të tillë, por se do të donin mbështetjen e gjitha subjekteve politike. Abazoviq po synon postin e kryeministrit të Malit të Zi.