Kryetari i Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit Albin Kurti lidhur me ftesën për takime ndërmjet liderëve politikë për çështjen e zgjedhjes së presidentit të vendit.
Përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku bëri të ditur se e ka njoftuar Kurtin se do t’i përgjigjet pozitivisht kësaj ftese, por vetëm pas publikimit të verdiktit nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, ku aktualisht ndodhet në shqyrtim çështja e zgjedhjes së presidentit.
Sipas tij, në momentin kur një çështje është në trajtim kushtetues, proceset politike duhet të ndalen përkohësisht, duke i lënë hapësirë vendimmarrjes së pavarur institucionale.
“Duke qenë se çështja e zgjedhjes së Presidentit është tashmë në shqyrtim të Gjykatës Kushtetuese, duhet të kuptojmë se koha jonë politike ndalon përkohësisht, ndërsa koha e dëgjimit kushtetues merr fjalën në pavarësinë e saj”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai theksoi se respektimi i këtij rendi institucional është në të mirë të Republikës dhe institucioneve shtetërore, duke shtuar se verdikti i Gjykatës duhet pritur me qetësi politike dhe respekt të plotë.
“Verdikti i Gjykatës duhet pritur me respekt të plotë institucional dhe me qetësi politike. Një orë pas verdiktit, mund të takohemi sërish”, u shpreh lideri i LDK-së.
Reagimi i Abdixhikut vjen pasi kryeministri Kurti paralajmëroi dërgimin e ftesave për liderët opozitarë, në përpjekje për të arritur një marrëveshje politike për zgjedhjen e presidentit dhe shmangien e zgjedhjeve të reja në vend.