Abdixhiku: Kemi nevojë për dialog sindikata – Qeveri

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka kërkuar që sa më parë të ketë dialog mes sindikatave dhe qeverisë në mënyrë që nxënësit t’u kthehen mësimit dhe mësimdhënësve dinjiteti.

Abdixhiku pas takimit me kryetarin e SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka kritikuar siç ka thënë, penalizimin e mësimdhënësve në këtë kohë krizë, duke e konsideruar tërësisht të panevojshëm.

“Kemi nevojë për dialog në mënyrë që nxënësit të kthehen në sa më parë në shkollat tona por edhe mësimdhënësve tanë tu kthehet dinjiteti që e meritojnë. Gjëja e fundit që mendoj që është e nevojshme është penalizimi i mësimdhënësve tanë në këtë krizë të rëndë ekonomike. Këta janë njerëzit tanë, janë familjet tona, janë qytetarët e Kosovës, për ta një shtet, një vend një pushtet duhet të ekzistojë në radhë të parë”, ka thënë Abdixhiku.

Ai po ashtu ka ngritur dyshimet për mosekzekutimin e pagesave për muajin gusht, duke thënë se në atë muaj nuk ka pasur pasoja në sistemin arsimor.

“Si është e mundur që për gushtin kur nuk ka pasur pasoja në sistemin arsimor të ndërpriten pagesat në fjalë, pra është dënim joligjor siç dhe kemi ngritur shqetësimet që të bëhet një dënim kolektiv në nivel të Kosovës pa paragjykuar betejën ligjore të palëve”, është shprehur Abdixhiku.