Abdixhiku, Kurtit: Po mbronë kriminelët në pranga e krimin rreth tij

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abidixhiku, përmes një video në facebook ka reaguar rreth skandalit me rezervat shtetërore, ku po akuzohen njerëz të afërt të pushtetit, si dhe ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari.

Abidixhiku ka bërë thirrje për ndryshim derisa ka akuzuar pushtetin për praktika të korruptuara të dhënies së tenderave për miqtë ndaj krerët e pushtetit.

“Një politikan që i jep miliona euro të buxhetit mikut të tij. Jo me garë, jo me procedurë, jo me ligj – por me tender veçmas për të. Një mik politikani që merr miliona nga shteti me procedurë të qëndisur enkas për të, dhe vendosë t’i marrë – siç na thotë politikani vet – veç’ 3%; përkatësisht 52 ton grurë, 200 mijë litra vaj e 120 mijë kilogram sheqer. Një hajni që del sheshazi në publik, dhe një Qeveri që në njërën anë atakon mediat sepse zbuluan një skandal të tillë, e në anën tjetër prokurorinë sepse arreston keqbërësit e tillë”, ka deklaruar Abdixhiku.

Abidixhiku ka kritikuar ashpër mbrojtjen që kryeministri Kurti i ka bërë Martin Berishajt, i akuzuar për përfitimin e miliona eurove, Nagip Krasniqin, i dyshuar për konflikt interesi në lidhje me dy kontrata njëburimore me vlerë prej më shumë se 3.5 milionë euro dhe së fundi Ridvan Muharremin, i dyshuar për praktika korruptive në negoicimet për blerjen e rezervave shtetërore.

“Tenderave për miq i kemi thënë gjithnjë korrupsion! Marrjes së përqindjeve gjithmonë hajni!Frikësimit të gjyqtarëve kapje e zaptim! Asgjë mangut sot”, ka deklaruar kreu i LDK-së. “Mbrojtja për Ridin që i merr ‘vetëm’ 3%; për Martinin që i tërheqë 1.4 milion kesh në Prishtinë, apo për Nagipin që jep tender 3.5 milionësh një biznesi pa qarkullim – është vazhdimësi e hajnisë që Kosovës nuk i është ndarë tash e shumë kohë”, pohoi Abdixhiku.

Në përfundim të video-adresimit të tij, Abidixhiku ka bërë thirrje për, duke theksuar nevojën për të eliminuar praktikat e korrupsionit dhe për të ndjekur drejtësinë duke pohuar se “Kosova mundet më mirë, Kosova meriton më shumë”.

“Tani a është ky ndryshimi i njëmendtë të cilin e kërkonim ndër vite? Të dëgjojmë krahasime se këta apo të tjerët para tyre janë hajna më të mëdhenj? Pas shumë përpjekjeve për evropianizim, a duhet të mjaftohemi me një kryeministër që mbronë kriminelët në pranga e krimin rreth tij, e shpërfaqet me plot mllef ndaj luftuesve të tij? Kosova mundet më mirë, Kosova meriton më shumë. Rruga e re po vjen dhe s’ka asgjë që e ndalë atë tashmë”, deklaroi ai.