Adnan Januzaj: Artisti i vetmuar i Sociedadit

Kontrata e Januzajt skadon vitin e ardhshëm, dhe ka ende shumë dyshime për të, ka shkruar “El Diario Vasco” të shtunën.

Kanë kaluar pothuajse katër vjet që nga transferimi i tij te Real Sociedadi dhe ka ende shumë dyshime për Adnan Januzaj. Është e pamohueshme që belgu ka një talent të natyrshëm për të luajtur futboll, por për një arsye apo një tjetër, ai nuk ka qenë në gjendje të tregojë potencialin e tij të plotë si lojtar i Sociedadit. Ai në të vërtetë ka bërë disa gjëra vërtet të mira, disa paraqitje magjepsëse, por duket se i mungon pak shpërthimi në futbollin elitar.

Januzaj, deri më tani ka luajtur 124 ndeshje zyrtare dhe ka shënuar 17 gola. Këto nuk janë shifra të konsiderueshme për një sulmues, por loja e tij është si kjo: anarkike. Sa spektakolare aq edhe e pakuptueshme. Është e drejtë, është e veçantë dhe kjo është arsyeja pse njerëzve u pëlqen ta shohin në fushë. Askush nuk e di se çfarë do të ndodhë kur ai të marrë topin, duket sikur të jetë një magjistar. Thjeshtë është i paparashikueshëm: Një gol, një pasim i rrezikshëm, një driblim.

Por, çfarë do të ndodhë me belgun? Kontrata e tij skadon vitin e ardhshëm, në qershor 2022. Nëse Real Sociedadi nuk e zgjat kontratën e tij, Januzaj do të jetë i lirë të negociojë me klube të tjera në janar. Me sa duket, klubi ka dyshime për të ardhmen e tij. Pandemia ka dëmtuar ekonomikisht dhe në klub po mendojnë për ulje të pagave, ndonëse ende nuk e kanë marrë një vendim të prerë.

Goli i shënuar në stadiumin “Wanda Metropolitano” në ditën e fundit të sezonit të kaluar ishte ndoshta momenti i tij më i mirë te Real Sociedadi. Januzaj ishte shpëtimtari i Sociedadit në Madrid. Goli ndaj Atletico Madrid (1:1) ishte shumë i rëndësishëm sepse shërbeu për të siguruar pjesëmarrjen në garat evropiane. Përveç kësaj, Januzaj kaloi një sezon të mirë. Ai shënoi tetë gola (më shumë se kurrë) dhe tregoi një aftësi të veçantë në krahun e djathtë për të dhënë pasime dhe për të krijuar rrezik për kundërshtarët. Mirëpo, këtë edicion nuk mund të thuhet se Janzuaj po tregohet efektiv te Sociedadi. Ai ishte startues vetëm njëherë në gjashtë ndeshjet e fundit kampionale të ekipit por trajneri Imanol Alguacil nuk e ka humbur besimin te futbollisti kosovar. Januzaj deri më tani, ka shënuar tri gola dhe ka bërë dy asistime në 32 paraqitje për Sociedadin në të gjitha garat.

“Nëse i aktivizojë të tjerët para tij, kjo është për shkak se ata janë më të mirë se ai. Januzaj po punon shumë dhe është një futbollist që bën diferencën, andaj prej që një të tillë ta bëjë edhe këtë sezon pasi sezonin e kaluar na e mundësoi daljen në Evropë”, ka thënë Alguacil.