Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka bërë thirrje për krijimin sa më të shpejtë të institucioneve funksionale në Kosovë, duke vlerësuar se stabiliteti politik, siguria juridike dhe partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian janë faktorë kyç për zhvillimin ekonomik dhe tërheqjen e investimeve.
Ky qëndrim u bë publik pas një takimi të zhvilluar në Prizren nga kryetari dhe bashkëthemeluesi i AKB-së, Agim Shahini, me bashkëthemeluesit e organizatës, ku u diskutuan zhvillimet politike dhe ekonomike në vend, si dhe ndikimi i tyre në klimën e biznesit.
Në takim morën pjesë Përparim Hoxha, Nexhat Hasani, Shpend Kallaba, Mustafë Neziri, Shemsi Dresha dhe Fadil Maxhuni, të cilët, sipas AKB-së, u pajtuan se mungesa e institucioneve të plota dhe funksionale po ndikon negativisht në besimin e investitorëve, zbatimin e reformave dhe zhvillimin ekonomik.
Sipas pjesëmarrësve, Kosova nuk mund të sigurojë rritje të qëndrueshme ekonomike, investime serioze dhe avancim të procesit të integrimit evropian pa institucione stabile dhe me legjitimitet të plotë.
AKB vlerësoi gjithashtu rëndësinë e partneritetit me SHBA-në dhe Bashkimin Evropian, duke theksuar se mbështetja e tyre ka qenë vendimtare për shtetndërtimin, demokracinë dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës.
Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, deklaroi se komuniteti i biznesit ka nevojë për stabilitet institucional, siguri juridike dhe vendimmarrje efikase.
“Pa institucione funksionale nuk ka ekonomi të fortë, nuk ka investime të reja dhe nuk mund të ecim me ritmin që kërkon integrimi evropian. Kosova duhet të ruajë dhe të forcojë partneritetin strategjik me SHBA-në dhe Bashkimin Evropian, sepse ky partneritet mbetet garancia më e madhe për zhvillimin ekonomik, demokracinë, sigurinë dhe të ardhmen euroatlantike të vendit”, citohet të ketë thënë Shahini.
Në përfundim të takimit, bashkëthemeluesit e AKB-së shprehën gatishmërinë për të kontribuar me ekspertizën e tyre në hartimin e politikave ekonomike dhe krijimin e një klime më të favorshme për bizneset vendore dhe investitorët e huaj.
Aleanca Kosovare e Bizneseve u bëri thirrje të gjitha forcave politike që, pavarësisht dallimeve partiake, të bashkëpunojnë për krijimin sa më të shpejtë të institucioneve funksionale, duke e cilësuar këtë si një hap të domosdoshëm për zhvillimin ekonomik dhe të ardhmen evropiane të Kosovës.