Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka shprehur shqetësim lidhur me aksionin e zhvilluar nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) në njësinë prodhuese të Qumështores Vita, pjesë e Devolli Group, duke e cilësuar atë si një veprim që, sipas saj, mund të ndikojë negativisht në besimin e investitorëve dhe klimën e biznesit në Kosovë.
Në një reagim publik, AKB tha se mbështet zbatimin e ligjit ndaj çdo biznesi, por theksoi se kontrollet institucionale duhet të zhvillohen në mënyrë profesionale, të paanshme, transparente dhe në përputhje me standardet ligjore.
Sipas AKB-së, krijimi i perceptimit të një qasjeje selektive ose të motivuar politikisht ndaj kompanive vendore mund të dëmtojë reputacionin e institucioneve dhe të ndikojë në sigurinë juridike për investitorët.
Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, deklaroi se Devolli Group është një nga kompanitë më të mëdha në vend dhe se brendi Vita ka një rol të rëndësishëm në industrinë ushqimore, duke kontribuar në punësim, bashkëpunim me fermerët dhe zhvillimin ekonomik.
“Prodhuesit vendorë duhet të trajtohen si partnerë strategjikë të zhvillimit ekonomik dhe jo të krijohet perceptimi se janë objekt presioni institucional”, thuhet në reagimin e AKB-së.
Organizata thekson se, nëse konstatohet ndonjë shkelje ligjore, institucionet duhet të veprojnë sipas procedurave të përcaktuara me ligj. Megjithatë, sipas saj, çdo veprim që perceptohet si joproporcional ose selektiv mund të ndikojë negativisht në besimin e komunitetit të biznesit.
AKB i ka bërë thirrje Ministrisë së Bujqësisë dhe Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë që kompetencat e tyre t’i ushtrojnë në mënyrë të pavarur, profesionale dhe mbi bazën e ligjit, duke shmangur çdo perceptim për ndërhyrje politike në proceset inspektuese.
Sipas organizatës, ruajtja e një klime të qëndrueshme dhe të parashikueshme për bizneset është thelbësore për mbështetjen e prodhimit vendor, nxitjen e investimeve dhe zhvillimin afatgjatë të ekonomisë së Kosovës.