AKB: Rritja ekonomike po mbetet në letra, qytetarët dhe bizneset po përballen me varfërim

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka shprehur shqetësimin e saj për gjendjen ekonomike në vend, duke vlerësuar se ekziston një hendek i madh ndërmjet statistikave zyrtare që flasin për rritje ekonomike dhe realitetit me të cilin përballen qytetarët dhe bizneset.

Sipas AKB-së, rritja ekonomike nuk mund të konsiderohet e qëndrueshme nëse ajo reflektohet vetëm në raporte dhe tregues statistikorë, ndërsa qytetarët vazhdojnë të përballen me rritjen e çmimeve, uljen e fuqisë blerëse dhe vështirësi në sigurimin e kushteve bazë të jetesës.

Përfaqësuesit e biznesit theksojnë se kompanitë kosovare po përballen me kosto gjithnjë e më të larta të energjisë elektrike, pagave, lëndëve të para, transportit dhe shërbimeve, faktorë që po ndikojnë drejtpërdrejt në konkurrueshmërinë e tyre në treg. Në të njëjtën kohë, sipas AKB-së, ngadalësimi i konsumit po reflekton pasigurinë ekonomike dhe rënien e standardit jetësor të qytetarëve.

Aleanca vlerëson se zhvillimi ekonomik duhet të matet përmes mirëqenies së qytetarëve, fuqizimit të sektorit privat, rritjes së eksporteve, investimeve produktive dhe krijimit të vendeve të reja të punës, e jo vetëm përmes statistikave që nuk pasqyrohen në jetën e përditshme.

Në reagimin e saj, AKB kujton se raportet e institucioneve ndërkombëtare vazhdojnë ta rendisin Kosovën ndër vendet me të ardhurat më të ulëta në Ballkanin Perëndimor, ndërsa inflacioni dhe rritja e kostove të jetesës mbeten sfida të vazhdueshme për familjet dhe komunitetin e biznesit.

Për këtë arsye, AKB u ka bërë thirrje institucioneve të vendit që të fokusohen në politika konkrete ekonomike që mbështesin prodhimin vendor, eksportin, investimet private dhe uljen e kostove operative për bizneset, me synim rritjen reale të mirëqenies së qytetarëve.

“Ekonomia nuk matet me deklarata politike, por me gjendjen financiare të familjeve dhe me aftësinë e bizneseve për të mbijetuar, investuar dhe krijuar vende pune”, thuhet në reagimin e Aleancës Kosovare të Bizneseve.

Këto çështje u diskutuan edhe gjatë një takimi ndërmjet kryetarit të AKB-së, Agim Shahini, dhe afaristit Shiqeri Emrllahu, i cili vepron në Kosovë dhe Austri. Gjatë takimit u diskutua për sfidat ekonomike, mundësitë e investimeve dhe rolin e sektorit privat në zhvillimin ekonomik të vendit.

Shahini e falënderoi Emrllahun për kontributin e tij në ekonomi, angazhimin e vazhdueshëm dhe mbështetjen si anëtar i Aleancës Kosovare të Bizneseve.