Aktakuzë ndaj biznesmenit Ridvan Muharremi për vjedhje të rrymës

I është ngritur aktakuzë për vjedhje të energjisë elektrike në biznesin e tij, biznesmenit Ridvan Muharremi.

Në aktakuzën e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, bëhet e ditur se aktakuza është ngritur më 6 gusht të 2021-ës, derisa dëmi që Prokuroria pretendon se i është bërë KEDS-it është 2473 euro.

Sipas aktakuzës, Ridan Muharremi po akuzohet se më datë 19 nëntor 2020 në furrën  e tij, me qëllim të përvetësimit të sendeve të huaja të luajtshme, me qëllim që vetes t’i sjellë dobi pasurore të kundërligjshme, ka shfrytëzuar njësorët e energjisë elektrike pa autorizim të furnizuesit, në këtë rast KEDS.

Sipas aktit akuzues, me këtë Muharremi ka kryer veprën penale “vjedhje e shërbimeve”, nga neni 314 paragrafi 6 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme deri 3 vjet burgim.

Aktualisht, Muharremi gjendet në paraburgim nën dyshimin se ka ndërmjetësuar kundërligjshëm në blerjen e rezervave shtetërore nga Turqia dhe Polonia. Së bashku me të, në paraburgim janë edhe dy zyrtarët, Hafiz Gara, Irfan Lipovica.

Mëngjesin e 18 gushtit, Policia e Kosovës ka kryer bastisje në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, dhe te pronat e biznesmenit Ridvan Muharremi, nën dyshime për keqpërdorime të rezervave shtetërore.

Fillimisht bastisja u krye te banesa e Ridvan Muharremit dhe te një lokal i tij, ku pastaj i njëjti edhe u shoqërua në polici.

Ndërkaq, në polici janë shoqëruar drejtori i Departamentit për Rezervat Shtetërore të Mallrave, Hafiz Gara, dhe drejtori i Departamentit për Integrim Evropian dhe Koordinim të Politikave, ish-sekretari Irfan Lipovica.

Gara është shoqëruar në polici nga ambientet e MINT-it.

Disa zyrtarë policorë së bashku më disa dokumente që janë marrë brenda zyrave, u larguan atë ditë nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.

Kjo ministri dyshohet se u bastis për shkak të dyshimeve për keqpërdorime të rezervave shtetërore, respektivisht të vajit dhe të grurit.

Gara dhe Lipovica u dëgjuan në disa audioincizime të siguruara nga mediumi “Nacionale” duke thënë se vaji i paguar nga shteti i Kosovës nuk ka ardhur nga Polonia në Kosovë.