Ambasada e ShBA-ve për shkarkimin e Bordit të RTK-së: Shkarkimet e nxituara dhe të njëanshme dëmtojnë institucionet publike

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, ka reaguar lidhur me shkarkimin e Bordit të RTK-së.

Ambasada ka theksuar se shkarkimet duhet të bazohen në prova transparente, ngjashëm siç duhet edhe emërimet të bazohen në merita.

Sipas ambasadës shkarkimet e njëanshme dhe të nxituara dëmtojnë institucionet publike dhe nuk adresojnë problemet strukturore.

“Dje, Kuvendi shkarkoi anëtarët e një bordi tjetër mbikëqyrës publik me një justifikim të pakët. Ndërsa kosovarët meritojnë përgjegjësi, shkarkimet duhet të bazohen në prova transparente ashtu si emërimet duhet të bazohen në merita. Shkarkimet e njëanshme të nxituara dëmtojnë institucionet publike dhe nuk adresojnë problemet strukturore. Reformat efektive afatgjata kërkojnë një qasje të qëllimshme, metodike duke vënë interesat e Kosovës në radhë të parë dhe politikat partiake mënjanë”, thuhet në reagimin e Ambasadës amerikane.

Ndryshe dje deputetët e Kuvendit të Kosovës votuan pro shkarkimit të anëtarëve të Bordit të RTK-së.

Anëtarët e shkarkuar janë: Sali Bashota, Agron Gashi, Lirim Geci, Ilir Bytyqi, Albinot Maloku, Bajram Mjeku, Petrit Musolli dhe Fadil Miftari.