Apeli refuzon kërkesën e mbrojtjes, mbetet në paraburgim Drejtori i KEK-ut

Gjykata e Apelit ka vendosur lidhur me ankesën e mbrojtjes së kryeshefit të pezulluar të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi, e cila ka kërkuar lirimin e tij nga paraburgimi.

Apeli e ka refuzuar këtë kërkesë, duke e lënë Krasniqin në paraburgim.

Mbrojtja ka kërkuar që Krasniqi të lirohet nga paraburgimi dhe atij t’i caktohet një masë më e butë me qëllim që të sigurojë praninë e tij në procedurën penale si dhe në të njëjtën kohë, të respektohen parimet themeltare të drejtësisë.

Sipas vendimit që Koha e ka siguruar, Prokuroria e Apelit ka propozuar që ankesa e mbrojtësit të pandehur të refuzohet si e pabazuar, ndërsa aktvendimi i ankimuar të vërtetohet.

Gjykata në gjetjet e saj ka vlerësuar se pretendimet ankimore të mbrojtjes nuk janë të qëndrueshme lidhur me mungesën e dyshimit të bazuar, ndërsa nuk janë të qëndrueshme as pretendimet lidhur me bazën e veçantë të rrezikut të ndikimit në dëshmitarë.

Gjykata vlerëson se ekziston dyshimi se i pandehuri prej vitit 2022 e ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare, ku më 26 janar të këtij viti ka lidhur kontratë të dëmshme në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik.

“Ashtu që duke vepruar me tenderin KEK-23-130-5-1-5 i emërtuar si ‘Riparimi i kapitalit emergjent i kaldajës blloku A5’ me procedurë të negociuar pa publikimin e njoftimit për kontratë, ka lidhur kontratë me kompaninë Litëin SA, me çmim prej 3.495.392.42 euro, duke ndryshuar kushtet e veçanta të kontratës me qëllim të përshtatjes së këtij operatori ekonomik përkundër faktit që paraprakisht komisioni vlerësues i tenderit kishte rekomanduar anulimin e këtij aktiviteti të prokurimit me arsyetimin se operatori nuk i është përmbajtur kushteve të autoritetit kontraktues i cili kishte kërkuar ndryshimin e kushteve të veçanta, për çka Krasniqi kishte urdhëruar me shkrim shefin e prokurimit Ymer Dragusha që të nënshkruante këtë kontratë e cila duke mos u ekzekutuar Korporatës i ka shkaktuar dëme dhe pasoja të pariparueshme financiare në dëm të buxhetit”, thuhet ndër të tjera në aktvendim.