Arrestime në Ministrinë e Bujqësisë, Prokuroria njofton se po vazhdon aksioni

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se po vazhdon aksioni i arrestimeve në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë.

Policia e Kosovës ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” se janë disa të arrestuar por nuk ka treguar numrin e saktë.

“Betimi për Drejtësi” ishte në vendin e ngjarjes dhe ka filmuar disa prej arrestimeve.

Ndërkohë, prokuroria ka njoftuar se aksioni po vazhdon.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se në bazë të kërkesës së Prokurorit të Shtetit dhe urdhëresës së Gjykatës kompetente, si dhe në koordinim me Policinë e Kosovës, është duke u realizuar aksioni, si vazhdimësi e operacionit të zhvilluar më 24 shkurt 2021, rasti “Subvencioni 2021””, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Në aksionin e 24 shkurtit të vitit 2021 ishin arrestuar 12 persona në mesin e të cilëve edhe u.d i Kryeshefit të Agjencisë për Zhvillim të Bujqësisë. Agim Nuha, i cili ishte liruar pastaj.

Ndërkohë, Policia e Kosovës përmes një përgjigje me shkrim për “Betimin për Drejtësi” ka konfirmuar se operacioni po vazhdon në disa lokacione në komuna të ndryshme.

“Pas përfundimit të operacionit policor do të bëhen të ditura detajet shtesë”, thuhet në përgjigje.