Ballkani e mund Prishtinën në shtepi

Ballkani e ka fituar derbin e javës së pestë të Superligës së Kosovës në futboll. Të dielën mbrëma në “Fadil Vokrri”, kampioni aktual ka mposhtur Prishtinën vendase me rezultatin 1:0.

Golin e vetëm e ka shënuar Albion Rrahmani në fund të pjesës së parë. Ai realizoi gol të bukur me kokë pas një krostimi të Armend Thaqit nga krahu i djathtë.

Para se të niste ndeshje ka ardhur te një rrahje mes tifozëve të dy skuadrave në tribuna. Tensione ka pasur edhe në fushë, në fillim të ndeshjes.

Në pjesën e dytë Prishtina ka rritur presionin ndaj Ballkanit, por pa ia dalë të barazoi rezultatin.

Për Ballkanin ishte fitorja e tretë rresht. Ndonëse ka vetëm tri ndeshje të luajtura, Ballkani është i dyti me nëntë pikë. Prishtina bie në vendin e katërt me shtatë pikë.

Derbi është luajtur para një numri të madh shikuesish dhe në kushte të rënduara. Gjatë tërë kohës ka pasur reshje të shiut që e kanë rënduar gjendjen e fushës.