Bitcoin aprovohet si aset financiar

Kriptovaluta Bitcoin është aprovuar si aset financiar nga rregullatori financiar amerikan, ka raportuar Reuters të mërkurën.

Ai do të ketë mundësi të tregohet nëpërmjet sistemit ETF, derisa miratimi do t’iu mundësojë investitorëve institucionalë ekspozim ndaj kriptomonedhës më të madhe në botë pa e poseduar atë fizikisht, si dhe do të nxisë zhvillimin e kësaj industrie.

Për këtë ka shkruar edhe njohësi i çështjeve të ekonomisë, Emanuel Bajra, që një gjë të tillë e ka konsideruar revolucion.

“Nesër fillon tregtimi i këtij instrumenti të ri financiar – i pari i këtij lloji që strukturalisht nuk është i ndërlidhur me ndonjë strukturë tangjibile monetare, mallrash ose aset likuid a jo-likuid. Ky është revolucion”, ka shkruar ai në Facebook të mërkurën.

Bajra ka theksuar se shndërrimi i Bitconit në instrument financiar ligjor nënkupton rritje të përdorimit si para alternative, ndërron kërkesën dhe ofertën në tregun e parasë, me ç’rast bën që të nxirren nga tregu monedha të tjera, e të tjera.

“Redukton influencën dhe dikimin e bankave në jetërat e njerëzve duke heqë monopolin e parasë këtyre institucioneve financiare dhe duke ja kaluar përgjegjësinë xhepave (funksioneve) të vogla të shpërndara gjithandej që bëjnë shitje-blerjen e kriptovalutave. Heq përgjithmonë rrezikun nga inflacioni dhe efektët e saj në ekonomi. Investitorët do ta kishin shumë më të lehtë lëvizjen e parasë nga një aset klasë në tjetrën për t’i mbrojtur margjinat e tyre në investime”, ka shkruar Bajra.