Blinken dënon sulmet ndaj Policisë së Kosovës

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se SHBA-ja dënon fuqishëm sulmet ndaj Policisë së Kosovës në veri të shtetit, duke u bërë thirrje qeverive të Kosovës dhe Serbisë që të ulin tensionet.

“Autorët e këtij krimi duhet të mbahen përgjegjës përmes një procesi transparent të hetimit”, tha Blinken përmes një deklarate.

Në orët e hershme të së dielës, Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i personave të maskuar dhe armatosur, pasi autoritetet e rendit tentuan të largonin barrikadat e vendosura në Banjskë të Zveçanit.

Si pasojë e përleshjeve, zyrtari policor, Afrim Bunjaku, u vra dhe disa të tjerë u plagosën.

Grupi i armatosur më pas u strehua në manastirin e Banjskës dhe gjatë ditës u përlesh me Policinë e Kosovës.

Të dielën, autoritetet thanë se tre sulmues u vranë, ndërkaq më 25 shtator u raportua se është gjetur trupi i pajetë edhe një sulmuesi tjetër të dyshuar. Ndërkaq, gjashtë persona janë arrestuar.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka përshkuar sulmuesit e armatosur si “një njësi e organizuar profesionale, që ka ardhur për të luftuar në Kosovë”.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se personat e armatosur ishin serbë lokalë të Kosovës, “të cilët nuk mund të vuanin më terrorin e Kurtit”. /Rel/