Deputeti i VV-së nis “hetimet” për skandalin e vajit, dorëzon kërkesë zyrtare


Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Korenica ka sfiduar Ministrinë e Tregtisë për skandalin e rezervave shtetërore.

Të martën, deputeti nga Rahoveci ka dorëzuar kërkesë për Qasje në Dokumente Publike në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT).

Përmes kërkesës zyrtare, ai ka kërkuar qasje nga MINT-i në pagesat dhe konfirmimin e pranimit të sasisë së grurit, vajit dhe sheqerit nga mjetet e dedikuara për rezervat shtetërore.


Ndonëse kërkesa është realizuar në emër të deputetit Korenica, ajo është iniciuar bashkërisht me Blend Zymin, një përkrahës të Lëvizjes Vetëvendosje para zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021, tash kritik i Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet.

Zymi ka thënë se sot e ka telefonuar deputetin Korenica dhe i ka kërkuar atij që ta përgatisin së bashku një kërkesë për Qasje në Dokumente Publike në MINT.