Detaje të reja nga vrasja në Top Channel të Shqipërisë

Tashmë janë zbuluar disa detaje të reja për ngjarjen e ndodhur pranë zyrave të televizionit shqiptar Top Channel, ku persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri, duke vrarë rojën e sigurimit.

Në vendngjarje u gjetën rreth 25 gëzhoja kallashnikov dhe dy armë zjarri kallashnikov.

Nga raportimet thuhet se në autostradën e Kavajës te vendi i quajtur “Përroi i Agait” është gjetur një veturë e djegur e tipit “Range Rover”, i cili dyshohet se u përket autorëve të këtij rasti.

Targat e veturës kanë rezultuar të vjedhura, ndërkaq policia është në vendngjarje dhe grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e rrethanave.

“Më datë 27.03.2023, rreth orës 01:00, në Mëzes, në rrethana ende të paqarta, nga persona ende të paidentifikuar, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të ambienteve të Top Channel. Si pasojë e të shtënave, ka humbur jetën roja e sigurisë, shtetasi P. K., 60 vjeç (punonjës i një shoqërie për ruajtjen fizike të objekteve)”, njoftoi policia.

Nuk dihet ende se cili mund të jetë motivi i këtij sulmi të rëndë në televizionin Top Channel.