Diaspora për shtatë muaj dërgoi mbi 750 milionë euro në Kosovë

Pavarësisht krizës ekonomike botërore të shkaktuar nga agresioni ushtarak rus në Ukrainë që nga shkurti i 2022-së, mërgata vazhdon të kontribuojë në dërgimin e parave për familjet e tyre në Kosovë.

Të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovë (BQK) mbi dërgesat nga jashtë, tregojnë se nga muaji janar deri në korrik 2023, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, diaspora jonë ka dërguar 81.5 milionë euro më shumë.

Për këtë periudhë, vlera më e lartë ishte gjatë muajit maj me 126.6 milionë euro nga totali prej mbi 751.8 milionë euro.

Duke iu referuar kanaleve të dërgimit, BQK-ja thotë se, 429.6 milionë euro janë transferuar me anë të agjencive të dërgesave të parëve, kurse pjesa tjetër me anë të bankave komerciale dhe kanaleve alternative.

Për sa i përket dërgesave të mërgatës sipas vendeve, Gjermania është shteti ku më së shumti dërgohen para në drejtim të Kosovës. Nga ky vend kanë ardhur 37.4 për qind e dërgesave, ndjekur nga Zvicra me 18 për qind, Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 7.4 për qind, Austria me 4.9 për qind dhe Italia me 4.5 për qind.

“Ngadalësimin e rritjes së konsumit e ka ndikuar kryesisht rënia e fuqisë blerëse të konsumatorëve, për shkak të rritjes së çmimeve, ndërkohë që burimet kryesore të financimit si remitencat, kreditë e reja konsumuese, konsumi publik, etj., shënuan rritje”, thuhet në raportin e BQK-së për vlerësimin tremujor të ekonomisë.

Vlera e remitencave të pranuara në tremujorin e parë të 2023-së kanë shënuar rritje prej 12.4 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Struktura e remitencave sipas shteteve mbetet e pa ndryshuar: Gjermania që ka një pjesëmarrje prej 38.8 për qind të remitencave të dërguara, ndjekur nga Zvicra me 17.2 për qind dhe SHBA-ja me 7.6 për qind”, vijon raporti “Vlerësimi tremujor i ekonomisë, tremujori i parë 2023“.

Sipas BQK-së, ngadalësimi i aktivitetit ekonomik në Eurozonë mund të ketë pasur ndikim mbi këto dërgesa, si një e hyrë për ekonominë e vendit tonë.

“Duke konsideruar që pjesa me e madhe e remitancave të pranuara kanë origjinë vendet e Eurozonës apo 57.2 për qind e totalit, ngadalësimi i aktivitetit ekonomik në Eurozonë mund të ketë implikime mbi këtë të hyrë për ekonominë e Kosovës”, përfundon BQK-ja.