Dogana mbledh 1.347 miliard euro të hyra

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, dhe ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, vizituan të premten Doganën e Kosovës, e cila ditë më parë shënoi 27-vjetorin e themelimit.

Gjatë vizitës u diskutua për rezultatet e institucionit, luftimin e ekonomisë joformale, lehtësimin e tregtisë dhe procesin e modernizimit.

Sipas të dhënave të prezantuara, Dogana ka mbledhur këtë vit 1 miliard e 347 milionë euro të hyra, ose 6 për qind më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Në kuadër të reformave për lehtësimin e tregtisë, është zbatuar deklarimi i mallrave para arritjes, i cili ka shkurtuar kohën e procesimit me rreth 70 për qind. Ndërkohë, është përmbyllur edhe shtetëzimi i terminaleve doganore.

Institucioni ka rritur gjithashtu përdorimin e teknologjisë në kontrollet kufitare. Skaneri në Merdarë synon të përmirësojë identifikimin e kontrabandës dhe aktiviteteve të tjera të paligjshme.

Në fazën e ardhshme, Dogana planifikon avancimin e projekteve si Dritarja e Vetme Kombëtare, Tranziti i Përbashkët dhe automatizimi i mëtejshëm i proceseve doganore.

Kurti dhe Murati, me rastin e 27-vjetorit, falënderuan zyrtarët doganorë për punën dhe përkushtimin e tyre.