Drejtori i Administratës së Prishtinës: Qytetarët po e pësojnë më së shumti nga greva

Drejtori i Administratës në Komunën e Prishtinës, Bersant Beka, ka thënë se punëtorët e administratës komunale janë duke e respektuar vendimin e Sindikatës për grevë në sektorin publik.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Beka tha se po mundohen që t’i bëjnë zgjidhje qytetarëve, të cilët, siç tha ai, edhe pse nuk kanë faj, po e pësojnë më së shumti.

“Shërbyesit civil të komunës kanë hyrë në grevë që nga dita e parë. Vlerësimin se sa është e drejtë kjo grevë, e merr Sindikata si përgjegjësi. Ne po mundohemi që me kapacitetet e tjera, siç i kemi kioskat, të kryejmë disa shërbime për qytetarët, siç është sektori i gjendjes civile, ku lëshohen disa certifikata”.

Tutje, ai tha se janë disa lloje të certifikatave të cilat qytetarët nuk mund t’i marrin në aparate, e se për këtë do të mbajnë një takim me Sindikatën, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje.

“Ndërsa certifikatat e bashkimit familjar, e disa certifikata të tjera, si regjistrimet e fëmijëve e këto, jemi duke e aranzhuar një takim edhe me Sindikatën që së paku qytetarët të mos ketë probleme për disa dokumente. Meqenëse kemi kërkesa edhe nga qytetarët për këto dokumente, po shpresojmë që pas takimit me Sindikatën të mund t’i lëshojmë disa nga këto dokumente”.

“Kjo po na bren më së shumti – nuk është faji i qytetarëve për grevën, por po e pësojnë vetë qytetarët. Ne po mundohemi që ta respektojmë sindikatën dhe kolegët tanë si grevistë”.

Beka gjithashtu tregoi se aparatet për nxjerrje të dokumenteve janë aktive në dy objektet e komunës si dhe në çdo bashkësi lokale.

“Aparatet janë aktive te objekti i Komunës së vjetër, te objekti i komunës së re dhe në çdo bashkësi lokale”.